Kur specat e domatet bëhen luks!

Prishtinë | 18 Mar 2025 | 19:52 | Nga Ekonomia Online

Dimri në Kosovë nuk sjell vetëm të ftohtin, por edhe çmime të larta të perimeve. Domatet, specat dhe trangujt – dikur ushqime të përditshme – tani janë bërë luks.

Të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës tregojnë se, gjatë muajit shkurt, çmimi i pemëve dhe perimeve është shtrenjtuar për 5.5 për qind, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Konsumatorët si Erina, 23 vjeçe, e ndiejnë menjëherë ndikimin.

Familja e saj 4-anëtarëshe ka një buxhet të kombinuar prej rreth 800 eurosh në muaj.

Erina thotë se përpiqet ta menaxhojë me kujdes buxhetin ushqimor, por se rritja e çmimeve e bën atë gjithnjë e më të vështirë.

“Çmimet janë tepër të larta, në maksimum. Është e tmerrshme. Një kilogram speca kushton deri në pesë euro, ndërsa domatet dhe trangujt mbi dy euro”, thotë prishtinasja për Radion Evropa e Lirë.

Ajo tregon se ka raste kur nga dyqani kthehet me duar të zbrazura, sepse “ndihet në faj” të shpenzojë shumë për diçka që “do të duhej të ishte bazike” dhe “jo luks”.

Halil Vllasi, kryefamiljar i një familjeje 6-anëtarëshe nga Podujeva, përballet me sfida të ngjashme.

I angazhuar në punë të ndryshme në sektorin privat, ai tregon se fiton deri në 600 euro në muaj, por shton se vetëm shpenzimet për ushqime e kalojnë këtë shumë.

Nuk e di se si ia dalim. Punoj vetëm për ushqim. Tash është shtrenjtuar edhe më shumë, për shkak të Festës së Bajramit që po afrohet”, thotë Vllasi.

Krahasimi që u bëri Radio Evropa e Lirë çmimeve aktuale të tregut me ato të vitit 2020, zbulon se sa drastike ishte rritja.

Pesë vjet më parë, specat kushtonin rreth 1.5 euro për kilogram – sot deri në 5 euro.

Trangujt apo domatet kushtonin rreth 1 euro për kilogram – sot çmimi tyre i kalon 2 euro.

Sipas ASK-së, të gjitha produktet bujqësore vitin e kaluar ishin për 46.8% më të shtrenjta krahasuar me vitin 2020.

Të ngjashme