Muslimanët kudo në botë festojnë sot festën e Kurban Bajramit e njohur si Festa e Sakrificës.
Kjo festë disa ditore është një nga dy festat më të rëndësishme të fesë islame.
Kjo ditë shënon vullnetin e Ibrahimit ose Abrahamit për të sakrifikuar djalin e tij sipas urdhrave të Zotit. Myslimanët e shënojnë këtë ditë duke bërë kurban një dele ose nje dhi. Mishi ndahet mes pjestarëve të familjes, mes miqve dhe i dhurohet të varfërve.
Kurban Bajrami festohet pas kryerjes së Haxhit, pelegrinazhit të përvitshëm në Mekë.
Arabia Saudite ka njoftuar se këtë vit në pelegrinazhin në Mekë kanë ardhur më shumë se 2,3 milionë pelegrinë, pjesa më e madhe e tyre nga vende jashtë Arabisë Saudite.
Pelegrinazhi në Mekë është një detyrim për besimtarët myslimanë, i cili duhet të bëhet një herë në jetë nga të gjtihë myslimanët të cilët mund ta përballojnë udhëtimin.
Pelegrinët shkojnë në Malin Arafat ditën e enjte për të shlyer mëkatet e tyre, dhe më pas zbresin në Muzdalifa për tu përgatitur për fazën përfundimtare të pelegrinazhit vjetor.
Pelegrinët të veshur me rroba të bardha e kalojnë natën e fundit në një vend kampimi në kodrën ku Islami pohon se Perëndia e provoi besimin e Abrahamit duke e urdhëruar atë të sakrifikonte djalin e tij Ismail dhe ku Profeti Muhammed dha predikimin e tij të fundit.