Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosjes, Sami Kurteshi, në shqyrtimin e Projekt-kodit penal të Republikës së Kosovës ka thënë se Ministria e Drejtësisë ka përkthyer tekstin e këtij projekt-kodi në google translate.
Për këtë ka qenë i menjëhershëm reagimi i ministrit Tahiri i cili i tha se deputeti Kurteshi po e mohon punën e 50 ekspertëve të kësaj fushe të cilët, sipas tij, kanë punuar 1 vit për këtë projekt-kod.
“Deputet nuk është mirë me ua mohu punën që kanë punuar 50 ekspertë të kësaj fushe për këtë çështje, ka qenë një proces gjithëpërfshirës. Problem në Ministrinë e Drejtësisë është përkthimi në gjuhën serbe, shpresojmë ta zgjidhim këtë problem. Mos e mohoni punën e 50 ekspertëve, duke filluar nga policë, prokurorë etj., që kanë punuar 1 vjet në këtë projekt-kod”.
Kurteshi tha se nuk kishte synim mohimin e punës së ekspertëve por përmirësimin e asaj pjese, raporton Ekonomia Online.
“Në krejt fjalën time nuk ishte mohimi i punës, çështja është e disa fakteve që mund t’i verifikoni menjëherë. Këtu nuk ka mohim të punës, por kërkesë për përmirësim”.