Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Sami Kurteshi, pas përfundimit të seancës së sotme të Kuvendit të Kosovës, është pyetur nga gazetarët rreth përçarjeve në Vetëvendosje, pas daljes në publik të fyerjeve nga Aida Dërguti për Albin Kurtin.
Kurteshi i ka kritikuar gazetarët se nuk janë korrektë që po pyesin për një temë të këtillë në Ditën Ndërkombëtare të Drejtave të Njeriut, për çka ai mbajti një fjalim në foltoren e Kuvendit, raporton Ekonomia Online.
“Ty do të duhej të përjashtoja nga intervista”, i është drejtuar ai, një gazetari që e pyeti çfarë po ndodh brenda Vetëvendosjes.
“Sot me mendje edhe me veprime duhet të jemi me të gjithë ata që nuk kanë me hangër, me pi, strehim që nuk qeshin edhe buzëqeshin sikur unë dhe ti se i kemi kushtet e mira, se janë të shtypur të burgosur nga pushtetet totalitare, nga policitë e ndryshme. As një sekondë nuk më shkon mendja për çështje të tjera në ditën e sotme”, ka vazhduar Kurteshi, të flasë për “temën e madhe” të preferuar nga ai.
Tash sa ditë nuk ka pasur ende asnjë prononcim zyrtar rreth mosmarrëveshjeve që dolën në publik, përveç postimeve individuale në rrjete sociale.
Por, Kurteshi iu ka sugjeruar gazetarëve që për këtë temë thënë se për këtë temë duhet të pyetet Vetëvendosje.
“Sot gjitha zhvillimet tjera mund të adresohen në lëvizjen Vetëvendosje, në zyrat e Lëvizjes Vetëvendosje. Unë nuk jam as kompetent, as i deleguar nga asnjë organ i Lëvizjes Vetëvendosje me fol për këto gjëra”.
“Unë mendoj që ka ngjarë krejt diçka që është njerëzore”, ka shtuar ky deputet i Vetëvendosjes.
As deputetët e tjerë të Vetëvendosjes nuk ishin të gatshëm të prononcohen për gazetarët.