Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh kryeministër, Albin Kurti ka thënë se partia që ai e drejton iu jep më shumë hapësirë grave dhe vajzave. Ai ka thënë se gratë dhe rinia, janë shndërruar në kryetema për ta pasur vëmendjen e shtuar në politikë e në shoqëri, teksa shtoi se kjo është parakusht i demokracisë, raporton Ekonomia Online.
Në mbledhjen Këshillit të organizatës Gratë për Vetëvendosje, kreu i kësaj partie ka thënë se asnjë grua në Grupin Parlamentar të VV-së në Kuvend nuk ndodhet aty duke iu falënderuar kuotës.
Kurti ka thënë se kjo ka ndodhur për shkak se qytetarët kanë dashur përfaqësim nga gratë.
“Solidariteti ndërmjet grave është real, dhe atë e shohim për çdo ditë, gratë që lavdërojnë një grua tjetër është bërë tashmë dukuri pozitive e progresiste në vendin tonë, e ky organizim i juaji do të thotë dyfish punë për angazhimin e grave në politikë e që sikurse sot që jeni këtu, shumica prej jush nesër do të jeni në Këshill të Përgjithshëm, ndërsa shumica prej burrave aktivist sot e kanë pushim. Jemi të vetëdijshëm që kanë gratë në Lëvizjen Vetëvendosje, dhe njëkohësisht ju nuk duhet ta harroni asnjëherë programin e VV-së dhe të merreni me çështjen dhe barazinë gjinore por edhe me temat aktuale si të tilla gjithnjë duke mos e harruar çështjen dhe barazinë gjinore”, tha Kurti.
“Gratë dhe rinia, shumë mirë që janë shndërruar në kryetema sepse duhet ta kenë vëmendjen e shtuar politike e në shoqëri dhe është parakusht i demokracisë dhe nuk ka dyshim që gratë dhe rinia e përbëjnë shumicën dërrmuese të popullsisë sonë. Kemi filluar punën për krijimin e hapësirave të reja për gratë në Vetëvendosje. Gratë duhet ta kenë organin e tyre të posaçëm për ta fuqizuar rolin dhe rëndësinë e tyre në Lëvizje, duke përfshirë struktura të mekanizmave të reja që u shërbejnë dhe u ndihmojnë në angazhimin për emancipim gjinor”, u shpreh Kurti.
“Asnjë grua në Grupin Parlamentar të VV-së në Kuvend nuk ndodhet aty duke iu falënderuar kuotës. Që të gjitha janë aty sepse qytetarët kanë dashur të jenë aty dhe 62 për qind të votave tona janë të grave votuese. Kjo është e pashembullt në Kosovën e pasluftës, në rajon e më gjerë”.