Kurti: Asociacioni s’e ka kaluar testin e Kushtetueses, serbët në Kosovë kanë nevojë për punë dhe drejtësi

Prishtinë | 02 Shk 2022 | 15:32 | Nga Leonora Kolukaj Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryeministri Albin Kurti në konferencën për media pas mbledhjes së qeverisë ka thënë se janë të gatshëm të bisedojnë me Serbinë kurdo që zyra e kryediplomatit Josep Borell do t’i thërrasë, raporton Ekonomia Online.

Ai foli edhe për Asociacionin ku tha se nuk e ka kaluar testin e Gjykatës Kushtetuese dhe s’është në përputhje me Kushtetutën.

“Kur zyra e përfaqësuesit të Lartë Borell të na thërrasë në takim ne jemi të gatshëm të marrim pjesë në bisedime. Ne duam dialogun parimor kur barazia e palëve është fakt i padiskutueshëm”, tha Kurti.

Kurti poashtu u shpreh se Asociacioni s’e ka kaluar testin e Gjykatës Kushtetuese dhe serbët në Kosovë kanë nevojë për punë dhe drejtësi e jo Asociacione që shtojnë tensione e gëzojnë dikë në Beograd.

“Sa i përket Asociacionit, ju e dini shumë mirë që Gjykata Kushtetuese më 2015 ka publikuar Aktgjykimin e vet me të cilin ka thënë se asnjëri prej 7 kapitujve të Asociacionit nuk është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe në 23 nene nuk ka përputhje ai Asociacion dhe rrjedhimisht  nuk e ka kaluar testin e Gjykatës Kushtetuese. Unë besoj që edhe serbët porsi shqiptarët, turqit, boshnjakët dhe qytetarët e Kosovës kanë nevojë për punësim dhe jo për Asociacione që na prishin raportet tona e na shtojnë tensionet dhe e gëzojnë dikë në Beograd. Nuk ka qenë asnjëherë kërkesë e serbëve të Kosovës, serbët e Kosovës duan punë dhe drejtësi”, tha ai.

Shefi i qeverisë kosovare tha tutje se është kryeministër edhe i serbëve të Kosovës nëse ata kanë kërkesa.

“Qeveria është e përkushtuar që kushtetueshmëria në gjithë territorin e vendit të jetë e zbatuar në mënyrë të plotë dhe për të gjitha kërkesat e serbëve nga Kosova unë jam kryeministër edhe i atyre”, tha Kurti para gazetarëve.

Të ngjashme