Qeveria e Kosovës dhe komuniteti egjiptian kanë një bashkëpunim të shkëlqyer ndërmjet vete, tha kryeministri Albin Kurti në një bashkëbisedim me të rinjtë e këtij komuniteti, raporton Ekonomia Online.
Në tryezën e organizuar nga Zyra për Çështje të Komuniteteve në Zyrën e Kryeministrit, Kurti tha se Qeveria që ai e drejton do ta përkrah edhe në të ardhmen këtë komunitet.
Theks të veçantë i dha arsimit, me ç’rast përmendi bursat që i ka ndarë për komunitetin rom, ashkali e egjiptian, për të cilën tha se do të vazhdojë edhe në të ardhmen.
“Besoj që së bashku kemi shumë për të festuar për komunitetin tuaj. Jam këtu edhe për t’iu dëgjuar lidhur me sfidat të cilat po vazhdojnë të mbesin. Ne kemi pas një bashkëpunim shumë të mirë me komunitetin gjatë vitit, i cili për nga bashkëpunimi politik ishte në nivel të shkëlqyeshëm. Gjatë kësaj jave do të ketë aktivitete të larmishme prej valleve e këngëve popullore deri te shfaqjet artistike, storie të suksesit e filma të metrazhit të shkurtë të organizuar nga OJQ që janë këtu me neve”, tha Kurti.
“Edhe nisma të tjera do të ndikojnë në punësimin e komunitetit egjiptian. Më duhet të përmend edhe punën e mirë e ministrit Elbert Krasniqi së bashku me ministren e Arsimit, Arbërie Nagavci për ndarjen e bursave”, tha ai.
“Në komuna e dimë rëndësinë e përfaqësimit të komuniteteve dhe më vjen mirë qe sot kemi dy zyrtar komunal për komunitete”, tha Kurti.