“Kurti bën veprime me kokëfortësi”, Lekaj: Të dëgjojë thirrjet e kryeministrit Rama

Prishtinë | 19 Qer 2023 | 17:14 | Nga Ekonomia Online

Teksa ditët kalojnë, gjuha diplomatike karshi Kosovës dhe Serbisë sa vjen dhe bëhet më agresive. Krahas ndërkombëtarëve, Shqipëria zyrtare me anë të kryeministrit Edi Rama kërkoi nga Serbia të lirojë tre policët e rrëmbyer, ndërsa Albin Kurtit i kërkoi të dalë nga guaska e vetizolimit dhe të mos bëjë veprime, të cilat do çonin në humbjen e pjesës së veriut.

Pal Lekaj, deputet i AAK-së, tha për “ABC News AL” se thirrjet e Ramës duhen pranuar. Ai kritikoi kryeministrin e Kosovës, për të cilin theksoi se po këmbëngul me kokëfortësi në gjëra të gabuara, dhe kjo qasje po i shkakton një dëm të madh Kosovës.

“Janë këshilla të mira, që duhen pranuar, por ne kemi një kryeministër që është kokëfortë dhe po i shkakton jo-stabilitet vendit me veprimet tij, që nuk janë të dobishme. Çdo veprim që ka bërë Kurti nuk ka shkuar drejt shtrirjes së sovranitetit në atë pjesë, Kemi ardhur në një situatë jo të favorshme për Kosovë, sepse ju po e shikonin se edhe raporte me ndërkombëtarët janë zbehur shumë. Në vend që të kemi përkrahjen e tyre, në agjendën e faktorit nde kombëtar po fajësohet Kosova, ku duhet të ishte e kundërta. Ne nuk duam aventura, që Kosovën nuk e çojnë askund dhe nuk e shtrijnë sovranitetin, Kurti ka gabuar në hapa dhe në veprime”, tha ai.

Ai shtoi se nëse Kurti nuk vepron pas thirrjeve të ndërkombëtarëve, në pjesën e veriut mund të formohet “Republika e KFOR”, duke e kthyer këtë zonë dy dekada pas.

“Kur e thoni edhe përgjigjen e KFOR, ky i fundit është i shqetësuar për situatën e sigurisë ne veri. Nen nuk guxojmë të lejojmë që me të vërtetë që edhe KFOR të ushtrojë detyrën e policëve, sepse këtë detyrë e ka policia. Kurti me veprimet e veta dhe pa koordinim ka sjell në pikëpyetje edhe veprimin e policisë në atë anë. Kompetencat e KFOR janë për të mbrojtur kufijtë. Me të drejtë e ka thënë edhe z. Rama se mund të kemi një republikë të KFOR në atë pjesë, dhe e kthen 24 vjet pas atë pjesë të veriut, kjo është për tu shqetësuar ne si opozitë dhe për qytetarët e Kosovës”, shtoi ai.

Përkundër kritikave, në një pikë Lekaj pajtohet dhe e mbështet kryeministrin Albin Kurtin. Ai tha se Kurti nuk duhet të pranojë të ulet në tryezën e diskutimeve me Serbinë, pa u liruar tre efektivët e Policisë së Kosovës, të cilët u rrëmbyen javën e kaluar dhe aktualisht ndodhen në paraburgim.

“Pa lirimin e tyre, pa kushte, nuk duhet të ulet në tryezë, dhe në këtë drejtim e mbështes Albin Kurtin, Si mund të ulesh kur ai nuk kaq vullnet për të liruar policët e rrëmbyer”, shtoi ai.

Të ngjashme