Kurti deklaroi se “krimi ka zbritur në nivel lokal”, Lladrovci thotë se ai duhet të intervistohet nga Prokuroria

Prishtinë | 26 Dhj 2021 | 16:13 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka reaguar pas deklarimeve të kryeministrit Albin Kurti se “krimi ka zbritur në nivel lokal”.

Lladrovci, nëpërmes një postimi në faqen e tij në Facebook, ka shprehur keqardhjen që Albin Kurti po sillet si kryetar i një partie dhe jo si kryeministër i vendit, i njëjtë për të gjithë qytetarët dhe pushtetin lokal.

“Po të kishte shtet ligjor dhe të së drejtës, Ju do të duhej sot të intervistoheshit nga Prokurori i Shtetit për “krimin në pushtetin lokal”, sepse në shtet ligjor, deklaratave të tilla do të duhej t’i bashkëngjitni fakte”, ka shkruar Lladrovci.

POSTIMI I PLOTË:

Z. Kryeministër Kurti,
Me keqardhje e lexova në portale se ju keni deklaruar sikur “krimi ka zbritur në nivel lokal”. Qëndrim tepër zhgënjyes për një kryeministër që nuk bën dallimin e liderit të një partie dhe kryeministrit të vendit për të gjithë qytetarët dhe pushtetin lokal.
Po të kishte shtet ligjor dhe të së drejtës, Ju do të duhej sot të intervistoheshit nga Prokurori i Shtetit për “krimin në pushtetin lokal”, sepse në shtet ligjor, deklaratave të tilla do të duhej t’i bashkëngjitni fakte.
Gjetja e armiqve të rinj të Qeverisë që ju drejtoni, është shmangie nga zgjidhja e problemeve reale të pushtetit qendror. Kjo metodë e ikjes nga përgjegjësia është e njohur, por, nuk është rruga që zgjidh çështjet jetike të qytetarëve.
Me këtë qasje, z. Kryeministër, organizata që ju e drejtoni jo vetëm se do të mbetet e vogël në nivel lokal, por shumë shpejt do të bëhet e vogël edhe në nivel qendror.

Të ngjashme