Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti bashkë me sekretarin për Marrëdhënie me Jashtë, Kreshnik Ahmeti, kanë pritur në takim ambasadoren e Kroacisë në Kosovë, Danijela Barishiq dhe sekretarin e Parë të Ambasadës së Kroacisë, Zlatko Vunçeq.
Sipas një njoftimi dërguar mediave, Barishiq e ka uruar Kurtin për fitoren e Vetëvendosjes në zgjedhjet e 6 tetorit.
“Ajo përmendi faktin që nga janari deri në qershor të vitit 2020, Kroacia do të jetë në krye të Presidencës së Bashkimit Evropian (BE), me ç ‘rast do të angazhohet për procesin e integrimit të vendeve të rajonit në këtë institucion. Më tutje, ajo u interesua për procesin e formimit të Qeverisë dhe prioritetet mbi të cilat do të ndërtohet programi i Qeverisë Kurti”, ka thënë ajo.
Ndërkaq njoftohet se Kurti njoftoi Ambasadoren Barishiq për procesin e negociatave me partnerin e ardhshëm të koalicionit qeverisës. Ai tregoi se programi i Qeverisë së ardhshme të Republikës së Kosovës tanimë është në fazën e përmbylljes, me ç ‘rast po përfundon suksesshëm edhe procesi negociator, nga i cili do të rezultojë një Qeveri e ndryshimeve progresive. Qeveria e re për prioritet do të ketë ngritjen e mirëqenies së qytetarëve dhe luftimin e krimit dhe korrupsionit brenda dhe jashtë institucioneve.
“Të dyja palët u pajtuan që emigrimi i qytetarëve të shteteve të Ballkanit, veçanërisht i të rinjve, drejt vendeve të zhvilluara të Evropës, paraqet një problem të madh për rajonin. Fenomeni i ikjes së trurit po ulë kapacitetet për zhvillimin ekonomik në vend, pa marrë parasysh a ndodhë kjo në Kroaci, e cila tashmë është anëtare e BE-së, apo në vendet sikurse Kosova, të cilat kanë pasur pak përparim drejt integrimeve Evropiane. Në takim pati pajtueshmëri se zgjidhja e vetme për tejkalimin e këtij problemi kronik është ngritja e mirëqenies nëpërmjet zhvillimit ekonomik, dhe barazia para ligjit nëpërmjet luftimit të krimit dhe korrupsionit. Në fund të takimit, palët u pajtuan që t’i vazhdojnë raportet e mira dhe t’i zhvillojnë ato edhe më tutje”, thuhet tutje në njoftim.