Qeveria e re nuk do ketë më shumë sfida para vetes se ç ’kishin pararendëset e saja. Përkundrazi do ta ketë më lehtë, ngase e gjen një shtet funksional dhe një pluralizëm me demosin më të sjellshëm të rajonit. Ajo përballet me detyra të shtet-mbajtjes, natyrisht, të cilat qe 13 vjet thotë se dinë t’i bëj më mirë se paraprakët. Duke shpresuar presim 100-in e parë për të thurur elozhet tona.
Shpejt dhe krejt: aq ngutshëm si në garë me kohën fituesi i zgjedhjeve [vetë]konstituoj qeverinë e radhës. Kurti nuk prezantoi as stafin as programin. Zotimet dhe vërejtjet [më tepër drejtuar të vetëve] i kishte titulluar si ekspozé. Me siguri ka ngatërruar termin duke e trajtuar sikur ai të ishte pjellë apo format i reduktuar i fjalës ekspozitë. Kjo ndodhë shpesh me ata që definicionet i mësojnë përmendsh pa kapur kuptimin e tyre. Ajo që bëri Kurti ishte ekspozim sipërfaqësor i planeve të tij dhe nuk ishte aspak ekspoze [apo në anglishte «Proposal» përdoret në shkenca si plan i detajuar i një studimi të synuar]. Kundërshtarët e tij mirëpo nuk e kritikonin të ketë ngatërruar termet por këmbëngulnin paraqitja e tij të mos jetë program qeveritar. Nuk ishte i tillë, poaq sa s’ishte ekspozé. Pa aguar ende vetëm i përhumburi mallkon natyrën pse ende të jetë errët. Shpallja e emrave të një qeverie nuk implikon kushtimisht qenien e saj aq gjatë sa për të sajuar programe. Programi i një qeverie bëhet pas konstituimit të saj dhe pasi të jenë trajtuar gjitha projektet, idetë, problemet dhe planet e ministrave të veçantë – nëse këta i kanë.
OPOZITA – Për plotë zonave virtuale madje, kritika e kundërshtarëve nxiti një lehtësi që përmblidhet në fjalinë «Uh, falë Zotit që këta s’janë më në pushtet!». Fjalimet e kundërshtarëve të tij [PDK] u përngjanin disputeve të antropologut Francis Galton [1822-1911], atyre fjalimeve kur multitalenti britanik elaboronte mbi «eugjenikën negative», doktrinë e cila merrej me evitimin e anomalive gjenetike për të mbajtur racat superiore të pastra.E dhimbshme dukuria, por asgjë tragjike kur kemi parasysh autorët e fjalimeve. Madje rastet ishin poaq komik si ai i deputetit të VV-së, i cili në emër të Allahut betohej mbi dokumentin laik të shtetit të Kosovës – për ta shuar apo të ruajtur atë, kushtetutën, do ta marrim vesh më vonë.
PËRBËRJA – Jo ekspozé e as program, mirëpo megjithatë kryeministri i ri ekspozoi diçka. Ai prezantoi një listë me emrat e atyre që do ta përbëjnë lokomotivën e tij në fillimet e qeverisë. Shumica prej tyre të njohur për publikun si emra, por jo pak prej tyre njihen edhe për nga veprimtaria si dhe ato që sjellin si habituse. Nuk mungojnë as specialistë nga jashtë siç është ministri i mbrojtjes apo biografi të dëshmuara në teori dhe praktikë si afine për postet si Haxhiu dhe Rizvanolli. Problem mund të shfaqin dy ministra/e, të cilët në pozita tjera janë dëshmuar si destruktorë të kulturës politike. Svelça është një rob besnik që po doli nga kontrolli shkakton skandale, ngase nuk përfill institucione nëse beson që shefi i tij të dëshiroj diçka tjetër – e që nuk e thotë dot. Donika Gërvalla e papërvojë në diplomaci dhe ekzekutiv [si ministre e familjes mund të kryente ndoshta punë të mira] është pjesëtarë e asaj kategorie që jashtë e brenda ka demonizuar shtetin e Kosovës dhe ushtrinë e saj të luftës, që nga ditët e para të 2008-ës e deri në emërimin e saj si ministre. Ajo deri dje ishte e bindur vendi të jetë gropa e pariparueshme e krimit, mafisë dhe mungesës së shtetit. Se si do ta bindë botën ajo – ministre e jashtme – se i njëjti shtet ndryshoi brenda 24 orëve mbetet të shihet për aq gjatë sa është në pushtet si ministre. Ndoshta ky as që është misioni i saj, por ai që deklaroi vetë: ta «përmbyll një biografi mbi 40-vjeçare», personale, familjare, një biografi, e cila nisi ndryshe e zonja Gërvalla do ta mbyll krejt ndryshe. Edhe sa dekada i duhen Kosovës gjersa gjithë trashëgimtarët e Jasharajve, ata të Agim Ramadanit, Demaçit, dhe qindra e mijë tjerëve t’i përmbyllin biografitë e tyre? Ndoshta ky as që do paraqiste problem [nëse shteti do kujdesej paraprakisht t’i shkollojë dhe stërvit trashëgimtarët siç bënë oborri mbretëror britanik], nëse habitusët luftën e tyre për pushtet nuk do ta argumentonin si kredit gjenetik, por si profesion, idealizëm apo thjeshtë karrierë ku mund të kontribuojnë diçka pozitive për shoqërinë.
100 DITË – Me gjitha këto nuk ka dyshim se Kosova hynë në një etapë të re, ku pushtetin do ta kenë ata që ishin kundër gjithçkaje që solli këtë shtet deri këtu; duke nisur që nga konferencat nga doli shteti e deri tek simbolet e tij. E bënin për shkak se nuk ishin vetë në pushtet, e bënin nga frika se nuk do përmbyllin biografitë e tyre personale apo ngase dinë më mirë do ta shohim kohën që vjen. Sidomos 100 ditët e para duhet opozita dhe gjithë tjerët të dëshmojnë kulturën elementare dhe të presin rezultatet. (Gazeta Express)