Kurti dhe Vitia vizitojnë IKShPK-në, ftojnë qytetarët të vaksinohen

Prishtinë | 08 Sht 2021 | 16:12 | Nga Kastriot Kokollari Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, së bashku me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, kanë vizituar Institutin Kombëtarë të Shëndetësisë Publike, raporton Ekonomia Online.

“Erdhëm këtu në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës që t’u falënderohemi për punën, përkushtimin dhe kontributin të gjithë të punësuarve të cilët kanë kaluar mbi 500 ditë, duke u angazhuar në mënyrë të pandalshme dhe të palodhshme në ballafaqimin me pandeminë”, tha Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, gjatë vizitës së tij në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK).

Së bashku me Ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, kryeministri Kurti u prit nga drejtori i Institutit, Prof.Dr. Naser Ramadani.

Kryeministri Kurti shprehu mirënjohjen dhe falënderimin ndaj të gjithë punonjësve të IKShPK-së, profesionistë në krye të detyrës, për angazhimin vetëmohues, në veçanti në këto javët e fundit kur situata është rënduar për shkak të pasojave të gjera e të mëdha të variantit Delta të virusit.

U vizitua qendra operative dhe hapësirat ku në frigoriferë po mbahen mbi 530 mijë vaksina Pfizer në temperaturë -85 gradë celsius, dhe rreth 20 mijë vaksina Astra Zeneca mes 2-8 gradë celsius.

Profesori Ramadani tha se është trefishuar numri i të shëruarve në krahasim me të infektuarit dhe se shkalla e pozitivitetit po shënon rënie.

Megjithatë shifrat vazhdojnë të jenë të larta, sikurse edhe shkalla e vdekshmërisë, prandaj gjatë vizitës u ritheksua rëndësia e vaksinimit, që e zvogëlon 20 herë rrezikun.


“Nuk ka mbrojtje më të mirë se vaksinimi dhe dilema mes përzgjedhjes së vaksinës nuk është dilemë e shëndetshme meqë të dy vaksinat janë të sigurta”, tha Kryeministri Kurti, duke shtuar se nevojitet bashkëpunim i mëtejmë që bashkërisht të dalim nga  situata e rënduar epidemiologjike.​

Të ngjashme