Letrat e ditëve të fundit drejtuar liderëve shtetërorë të Kosovës, sikur paralajmëruan atë që pritet të ndodh në javën e ardhshme.
Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, kancelarja gjermane, Angel Merkel dhe liderët tjerë botërorë në letrat e tyre të urimit për lidershipin e ri të Kosovës kanë theksuar domosdoshmërinë e rifillimit të dialogut Kosovë-Serbi.
Demokracia.com nga burime ndërkombëtare ka mësuar se javën e ardhshme, kryeministri Albin Kurti pritet të udhëtojë drejt Brukselit për t’u takuar me përfaqësuesit e lartë evropianë.
Po ashtu, atje para Kurtit për vizitë zyrtare pritet të shkojë edhe presidenti serb Aleksandër Vuçiq.
“Në Bruksel fillimisht shkon presidenti serb, Aleksandër Vuçiq. Ndërsa, pas tij edhe kryeministri kosovar Albin Kurti. Në takime do të flitet për mundësinë e rifillimit të dialogut dhe krijimin e kornizave të këtij procesi”, ka thënë ky burim.
Në letrën që Presidenti Biden ia ka dërguar Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, thuhet se ShBA-ja do të vazhdojë t’i mbështesë përpjekjet për sigurimin e paqes së qëndrueshme.
Të njëjtën kërkesë e kishte edhe kancelarja gjermane, Angela Merkel, por edhe presidenti francez, Emmanuel Macron, për Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin.
Pas vizitës në Bruksel, Kurti dhe Vuçiq javëve të ardhshme pritet ta vizitojnë zyrtarisht edhe Parisin, me ftesë të presidentit francez Emmanuel Macron.
Në takimet e Brukselit dhe Parisit mësohet se do të diskutohet rreth formatit të ri të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me lehtësimin e Bashkimit Evropian.