Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, ka bërë të ditur se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe kancelari gjerman, Olaf Scholz, në takimin e nesërm në Berlin do të diskutojnë për dialogun Kosovë-Serbi.
Kështu ka njoftuar Rohde me anë të një postimi në llogarinë e tij në ‘Twitter’, teksa ka thënë se Scholz do të ketë konferencë të përbashkët me Kurtin nga ora 16:00.
“Nesër, kancelari Scholz do të presë kryeministrin Kurti dhe Presidentin Vuçiq në takime të ndara në Berlin. Pas takimit me kryeministrin Albin Kurti, do të ketë konferencë të përbashkët nga ora 16:00”, njoftoi Rohde.
“Që të dyja takimet do të fokusohen në koordinime të mëtutjeshme në reagimin ndaj agresionit të Rusisë kundër Ukrainës, marrëdhëniet politike e ekonomike dhe bashkëpunimin rajonal. Takimi gjithashtu do të shërbejë si mbështetje për dialogun Kosovë-Serbi, të ndërmjetësuar nga BE-ja”, bëhet e ditur më tej.
“Në mbështetje të dialogut të ndërmjetësuar me BE-në, kancelari Scholz ka ftuar Miroslav Lajçak, i cili do të mbajë një takim të përbashkët me Kryeministrin Kurti dhe Presidentin Vuçiq në mbrëmje në Berlin”, përfundon shkrimi i Rohde.