Kurti duhet të ketë siguri rigoroze, lëreni cirkun

Prishtinë | 23 Shk 2020 | 20:41 | Nga Ekonomia Online

Njohësi i proceseve politike, Milazim Krasniqi ka thënë se shkuarja këmbë në punë e Albin Kurtit është pjesë e cirkut argëtues, për shijen e njerëzve të padije e të pavetëdije politike.

Krasniqi përmes një postimi në llogarinë e vet në “Facebook”, ka shkruar se kjo sjellje nuk është as politikë, nuk është as qeverisje.

“Në një vend si Kosova, ku duart e armiqve janë gjithandej prezente, siguria e jetës së kryeministrit, cilido qoftë ai, duhet të jetë e plotë. Ndërsa, në rastin e Kurtit, siguria duhet të jetë shumë më rigoroze. Pse? Sepse ka ardhë në krye të qeverisë me një politikë konfliktuoze, e cila ka prodhuar shumë kundërshtarë e armiq”, ka shkruar Krasniqi.

Ai ka shtuar se deri sa të eliminohet ky perceptim, Kurti duhet të ketë siguri shumë më rigoroze, sepse ka rrezik që forcat e errëta antiKosovë të gjuajnë gurin e të fshehin dorën.

“Qëllimi mund të jetë destabilizimi, zhbërja e shtetit. Pra, lëreni cirkun, bëni poliitkë në pajtim me realitetin që kemi, që si shtet ende jemi në rrezik”, ka shkruar Krasniqi.

Albin Kurti ka publikuar sot në “Instagram” disa fotografi duke shkuar këmbë në zyre, pa përcjellje të afërt.

Të ngjashme