Kurti dy homologëve evropianë: Duam marrëdhënie fqinjësore me Serbinë, marrëveshja të zbatohet pa kushte e vonesa

Prishtinë | 04 Kor 2023 | 10:57 | Nga Gzim Mujaj Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryeministri Albin Kurti ka kërkuar nga dy kryeministrat evropianë, ai i Holandës, Mark Rutte, dhe ai i Luksemburgut, Xavier Bettel, që t’i ndihmojnë Kosovës që të anëtarësohet në NATO dhe në BE.

Kryeministri përmendi edhe çështjen e dialogut me Serbinë, duke shtuar se dëshirojnë zgjidhje evropiane dhe zbatim të marrëveshjeve pa kushte e vonesa, raporton Ekonomia Online.

Kurti tha se progresi demokratik i Kosovës është mundësi e mirë për BE-në që të transformojë Ballkanin Perëndimor.

“Gjithashtu kërkova që të na ndihmojnë për sa i përket programit të NATO-s, partneritetit për paqe dhe të ecim më tutje drejt marrjes së pyetësorit nga Komisioni Evropian sa i përket anëtarësimit në BE, ku ne tashmë e kemi bërë aplikimin tonë zyrtar”.

“Në lidhje me dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, kam theksuar se Kosova është e interesuar për marrëdhënie të mira fqinjësore. Ne dëshirojmë zgjidhje evropiane dhe për këtë e kemi marrëveshjen bazike të 27 shkurtit dhe aneksin e zbatimit të 17 marsit, për të cilën dëshirojmë që të zbatohet në plotësi, pa vonesa dhe pa kushte”.

“Demokracitë solidarizohen me njëra tjetrën përballë autokracive andaj edhe progresi demokratik i Kosovës është mundësi jo vetëm për shtetin tonë por edhe BE-në për të shtyrë përpara reformat dhe transformimin e Ballkanit Perëndimor”.

“Në këto kohë të rëndësishme për demokracinë dhe sigurinë e paqenë në rajonin tonë dhe kontinentin tonë. Vendet tona gëzojnë marrëdhënie të shkëlqyera, të cilat janë gjithmonë e me të afërta. Jemi mirënjohës për mbështetjen e Holandës dhe Luksemburgut, për lirinë dhe pavarësinë tonë, për progresin demokratik dhe ekonomik”.

Ai ka konfirmuar se sot pas dite do të këtë takim me Përfaqësuesin Special të BE-së, Miroslav Lajçak.

Kurti po ashtu tha se për shpalljen e dy organizatave terroriste kanë qenë të njoftuar të gjithë.

“Po sot kam takim me emisarin evropian Lajçak. Të dielën kam pasur një telefonat më Borellin. Sa i përket shpalljes së organizatave si organizata terroriste. Këtë e ka  paralajmëruar zoti Sveçla në një konferencë për media. Të gjithë kanë qenë të njoftuar, mua më duhet ta respektoj ligjshmërinë në Kosovë”.

Fjalimi i plotë:

I nderuari Kryeministër Rutte,
I nderuari Kryeministër Bettel,
Zonja dhe zotërinj,

Sot pata nderin dhe kënaqësinë që të pres Kryeministrin e Holandës dhe Kryeministrin e Luksemburgut, këtu në Qeverinë e Republikës së Kosovës, në këto kohë të rëndësishme për demokracinë dhe sigurinë dhe paqen në rajonin tonë dhe në kontinentin tonë.

Në emër të popullit të Kosovës i falënderova të dy kryeministrat për vizitën e tyre të përbashkët. Vendet tona gëzojnë marrëdhënie të shkëlqyera, të cilat janë gjithnjë e më të afërta. Jemi mirënjohës për mbështetjen e Holandës dhe të Luksemburgut gjatë këtyre viteve, për lirinë dhe pavarësinë tonë, për progresin demokratik dhe ekonomik.

Mbështetja juaj për zhvillimin ekonomik dhe avancimin demokratik na ka ndihmuar të përmirësojmë mjedisin e biznesit, të rrisim kapacitetet e administratës sonë publike dhe të forcojmë sistemin e drejtësisë, sikurse edhe të shoqërisë civile.

Në dy vitet e para të qeverisjes sonë, ne renditemi në vendin e parë në Ballkanin Perëndimor për përmirësimin e:
-sundimit të ligjit nga Projekti Botëror i Drejtësisë (World Justice Project),
– të drejtave politike dhe lirive civile nga Freedom House,
– luftës kundër korrupsionit nga Transparency International,
– lirisë së shtypit sipas Reporterëve pa Kufij,
–  demokracinë liberale dhe elektorale sipas Institutit V-Dem,
– mbledhjen e të ardhurave tatimore, sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar, si dhe
– pakon më të madhe fiskale si përqindje e bruto produktit vendor, sipas Bankës Botërore.

Kemi pasur dy vite të suksesshme në drejtim të avancimit demokratik, sikurse edhe të zhvillimit ekonomik. Arritëm rritjen mbresëlënëse ekonomike prej mesatarisht 7.35 për qind, ndërsa raportin eksport-import nga 1:9 e kemi sjellë në 1:6. Për dy vjet investime eksportet dhe investimet e huaja direkte janë dyfishuar dhe ekonomisë ia kemi shtuar për një vit, aq sa dikur janë nevojitur më shumë se tri vite.

Në politikën e jashtme jemi plotësisht në linjë me nenin 21 të Traktatit të Bashkimit Evropian, si dhe me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të Bashkimit Evropian.

Me Holandën dhe me Luksemburgun gëzojmë edhe marrëdhënie të mira ekonomike e tregtare, të cilat mund t’i përmirësojmë edhe më tej. Për këtë edhe bashkëbiseduam në takimin tonë. Në tri vitet e fundit, marrëdhëniet tona tregtare me Holandën janë rritur, eksportet prej 33.2 për qind, kurse 15 për qind me Luksemburgun. Edhe pse kjo është prej një baze të ulët, prandaj është e rëndësishme që të ecim më shumë, më shpejt bashkërisht.

I kemi 153 biznese të regjistruara të Holandës në Kosovë dhe janë dhjetëra gjithashtu nga Luksemburgu.

Sektorin e Teknologjisë së Informacionit e kemi dinamik, eksportet e shërbimeve të TIK-ut, në vitin 2022 janë rritur për 113% krahasuar me vitin paraprak, dhe renditemi të parët në Ballkanin Perëndimor nga “Future of IT Report” në Indeksin e Konkurrencës, Teknologjisë dhe Informacionit. Andaj edhe duke pasur parasysh rritjen e numrit të kompanive holandeze në fushën e Teknologjisë, Informacionit dhe Komunikimit që operojnë dhe bëjnë biznes në Kosovë, ftova zyrtarisht Kryeministrin Rutte, që ta planifikojmë një konferencë Holandë-Kosovë për Teknologji të Informacionit.

Kosova ka potencial të madh edhe për investime në bujqësi. Janë katër fusha siç e dini ku ne e kemi rritur buxhetin: bujqësia, mbrojtja, shëndetësia dhe arsimi. Gjithashtu i falënderova kryeministrat që përveç ndihmës së deritanishme në Kosovë, na kanë ndihmuar edhe në arenën ndërkombëtare për anëtarësimin e Kosovës, siç ishte rasti për kalimin e pengesës së parë për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe liberalizimin e vizave për Kosovën.

Gjithashtu, kërkova që të na ndihmojnë sa i përket programit të NATO-s, Partneriteti për Paqe, dhe të ecim më tutje drejtë marrjes së pyetësorit nga Komisioni Evropian, sa i përket anëtarësimit në Bashkimin Evropian ku ne tashmë e kemi bërë aplikimin tonë zyrtar.

Në lidhje me dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, kam theksuar së Kosova është e përkushtuar për marrëdhënie të mira fqinjësore. Ne dëshirojmë zgjidhje evropiane dhe për këtë e kemi marrëveshjen bazike të 27 shkurtit dhe Aneksin e zbatimit të 17 marsit, për të cilën dëshirojmë që të zbatohet në plotni pa vonesa dhe pa kushte.

Demokracitë solidarizohen me njëra-tjetrën përballë autokracive. Andaj edhe progresi demokratik i Kosovës është mundësi jo vetëm për shtetin e shoqërinë tonë por edhe për Bashkimin Evropian që të shtyjë përpara reformat dhe transformimin e Ballkanit Perëndimor.

I nderuar Kryeministër Rutte,
I nderuar Kryeministër Bettel,

Ju faleminderit që na nderuat me vizitën tuaj. Jeni gjithmonë të mirëpritur në Republikën e Kosovës.

LEXONI EDHE:

Të ngjashme