Kryesia dhe Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje do të takohen sot për herë të parë pas një varg dorëheqjesh në këtë parti, raporton Ekonomia Online.
Në seli kanë ardhur kandidati i vetëm për të parin e kësaj parie, Albin Kurti, bashkë me kryetarin e Prishtinës, Shpend Ahmeti.
Ata kanë zbritur bashkë nga vetura ndërsa pa u deklaruar para mediave kanë hyrë brenda.
Gjithashtu edhe deputetët Dardan Molliqaj, Visar Ymeri , Shqipe Pantina, Driton Çaushi, Donika-Kadaj Bujupi, Dardan Sejdiu e Fisnik Ismajli.
Lëvizja muajt e fundit po përjeton përçarjen më të madhe që nga themelimi, pas publikimit të disa mesazheve në “Viber” ku Aida Dërguti e kishte fyer rëndë Albin Kurtin.
Pas kësaj Dërguti ka dhënë dorëheqje nga të gjitha pozitat partiake.
Njëjtë kanë vepruar edhe disa zyrtarë të lartë të partisë, përfshirë këtu ish-kryetarin Visar Ymerin, ish-nënkryetarin Dardan Sejdiun, etj., të cilët bashkë me ish-sekretarin Dardan Molliqajn, po e kundërshtojnë kandidimin e Albin Kurtit për kryetar të partisë.