Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një konferencë për medie shpalosi detaje nga takimin i 18 gushtit në Bruksel. Ai tha se në këtë takim marrë vesh për tekstin për të pagjeturit, mirëpo sipas tij, Serbia refuzoi ta nënshkruajë, raporton Ekonomia Online.
Kurti tha se të hënën nuk u takua me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq në Bruksel për të folur thjesht për çështjen e targave, por për të diskutuar rreth marrëveshjes finale.
Kurti ka thënë se Kosova dhe Serbia kanë pasë tetë opsione në tavolinë nga BE-ja përgjatë muajve të dialogimit.
Kurti tha se marsi i vitit 2023 ishte afati i përcaktuar nga Brukseli për arritjen e marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë sipas propozimit që iu është dhënë palëve paraprakisht. Ai tha se me atë ftesë e bleu biletën e avionit.
Madje, Kurti thotë se vet kishte kërkuar që procesi të përmbyllet në shkurt, ndërsa edhe nga marsi tha se BE-ja hoqi dorë.
“Më 18 gusht ka pasur edhe një zhvillim tjetër interesant, i cili nuk përmendet sot. Jemi dakorduar për tekstin, për marrëveshjen për të pagjeturit, për të zhdukurit me dhunë, jemi dakorduar. Dy faqe është teksti, mungojnë veç nënshkrimet. I imi jo, unë isha i gatshëm ta vendosë, Serbia refuzoi. U dakorduam për tekstin, merreni me mend në Bruksel nuk përmendet që ka marrëveshje të dakorduar”.
“Kur ma kanë dërguar ftesën nga Brukseli që të shkojë në takim me presidentin e Serbisë, arsyeja kryesore pse kam shkuar nuk janë targat. Unë kam shkuar që të fillohet të diskutohet propozimi për marrëveshjen finale, se prandaj jam kryeministër. Nuk mund të shkojë kryeministri në Bruksel me prioritet targat”.
“Prej 18 gushtit, struktura e takimeve është e qartë, pika e parë korniza: korniza e përgjithshme e marrëveshjes. Unë për këtë gjë kam shkuar. Ata hoqën dorë nga propozimi i BE-së”, shtoi kryeministri.
“Kur thashë tetë opsionet, mendova që fola vetëm midis nesh, anëtarët e kabinetit qeveritar. S’mund të them më shumë se atyre. Tetë opsione gjatë gjashtë muajve. Shtatorin e vitit 2021 e patë kur u patën grumbulluar forcat serbe përgjatë kufirit me Kosovën dhe atje shkoi edhe ambasadori rus. Gjashtë muaj është negociouar mes ekipeve tona ku kanë shkuar ekspertët dhe njohësit e çështjeve dhe kanë ardhur në një përfundim se tetë modele janë të mundshme dhe është kërkuar nga palët modelin e preferuar dhe nëse asnjë i përbashkët s’do të ishte zgjedhur nga palët natyrisht se do të vazhdonin negociatat. Ne i kemi preferuar tri modele, derisa pesë i kemi konsideruar të papranueshme. Por, Serbia i ka konsideruar të gjitha të papranueshme”.
“BE mund t’i bëjnë publike këto gjëra. Ne kemi qenë të gatshëm, për neve ka qenë i rëndësishëm parimi i reciprocitetit për dakordim. U bënë edhe dy muaj që dështuan. Asnjë prej tetë opsioneve s’i binte tamam Serbisë”.
“Afatin mars 2023 nuk e kam shkru unë, e ka shkruar Brukseli në ftesë. Në ftesën e Brukselit që synohej në fund të bëhej publike, është paragrafi ku thuhet se bisedimet përfundojnë në marsin e vitit 2023. Andaj unë kam shkuar. Për herë të parë kemi afat. Dhe a e dini se çfarë kam kërkuar unë aty? Të jetë shkurti i vitit 2023. Thash pse marsi, pse jo shkurti? Më shpejt më mirë. Jo – tha – nuk bën shkurti, marsi. Iu thash shkurti, ata thanë marsi. Hajt po e lëmë marsin. Në fund unë pranova, ata e lanë krejt”, tha Kurti.
LEXONI EDHE: