Kryeministri Albin Kurti dhe u.d. i presidentit të vendit, Glauk Konjufca, kanë vizituar varrezat e familjes Jashari në Prekaz ku dërguan kurora lulesh.
Kurti ka deklaruar se falë familjes Jashari, populli shqiptar është gjallë dhe gëzon lirinë e vendit.
Ai ka thënë se në Prekaz erdhi menjëherë pas mbledhjes së parë ceremoniale dhe se kjo familje duhet kujtuar përherë.
“Pas pranimit të detyrës si kryeministër i ri i Republikës së Kosovës si rezultat i votimit të mbrëmshëm në Kuvendin e Republikës mbajtëm mbledhjen e parë ceremoniale të qeverisë të kabinetit tonë të ri dhe menjëherë erdha këtu në Prekazin heroik e historik bashkë me presidentin në detyrë dhe kryetarin e Kuvendit Glauk Konjufca dhe me kryetarin e Komunës së Skenderajt dhe djalin e heroit Hamëz Jashari, Bekim Jashari”.
“Vendosëm kurora me lule të freskëta te varri i Adem dhe Hamëz Jashari dhe bëmë homazhe te 59 të rënët në Epopenë e UÇK-së më 5,6 dhe 7 mars të vitit 1998 të këtyre tre brezave të cilët u flijuan për çlirim e liri, pavarësi e bashkim”.
“Çdo herë kur marrim detyra të rëndësishme shtetërore, çdo pozitë e lartë institucionale duhet të themelohet mbi kthimin dhe rikthimin te Jasharët dhe te Prekazi, ky kryeqytet i kryengritjes sonë kombëtare. Lavdi gjithë heronjve, dëshmorëve dhe martirëve të kombit falë të të cilëve ne sot jemi edhe të gjallë dhe gëzojmë lirinë që kemi”.
Ndërkohë, u.d. i presidentit ka deklaruar se kujtimi ndaj familjes Jashari do jetë i përhershëm dhe kjo familje e lëvizi botën, për t’u rreshtuar krah interesit shqiptar.
“Jemi këtu në Prekaz së bashku me kryeministrin Albin Kurti dhe kemi nderin edhe me kryetarin e Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, që të përkulemi para sakrificës së madhe të familjes Jashari”.
“Ne jemi në Prekaz që të marrim forcë se si të vazhdojmë dhe ecim përpara, meqë ky është vendi ku në vitin 1998 kombi shqiptar u ringjall dhe sakrifica e madhe e familjes Jashari e lëvizi krejt botën dhe e bëri botën që të rreshtohet në anën e interesit të kombit shqiptar. Pikërisht për këtë arsye do të jetë i përhershëm dhe i përjetshëm kujtimi i të gjithë kombit shqiptar për këtë sakrificë të madhe të familjes Jashari”.