Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, kanë bërë inaugurimin e objektit të ri të Fakultetit të Edukimit dhe Fakultetit të Filologjisë në Universitetin “Ukshin Hoti” në Prizren, raporton Ekonomia Online.
Nga aty, kryeministri Albin Kurti tha se ky Universitet nuk ka pasur investime që nga vitet e 70-ta. Nga këtu ai foli edhe për profesorin e aktivistin Ukshin Hoti, i cili që nga maji i vitit 1999 u zhduk nga Policia serbe nga burgu i Dubravës,
“Mësova se në këtë ndërtesë nuk kishte pasur investime që nga vitet e 70-ta. Pra gjysmë shekulli mungesë investimi dhe tash po e inaugurojmë investimin që shkon mbi gjysmë milioni euro. Pas këtyre investimeve, me infrastrukturë të re, me rrjetin e ri elektrik, me rrjetin e ri të internetit me salla të reja për profesorë, unë uroj që ky fakultet të vazhdojë dhe ta ngrisë atmosferën e re të punës dhe studimit”.
“Universiteti juaj dhe i yni që na ka bërë bashkë këtu mban emrin Universiteti i Prizrenit ‘Ukshin Hoti’. Emrin e profesorit të filozofisë dhe aktivistit të shquar me origjinë prej këtyre anëve Ukshin Hotit, të cilin më vërtetë nuk e kemi mes nesh më fizikisht që nga maji i vitit 1999 kur policia serbe e zhduki nga burgu i Dubravës, por frymën e tij patriotike në tekst të shkruar dhe në të vepruar, e kemi më së miri të fiksuar në Universitet”.
Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, tha se janë ndarë 250 mijë euro për renovimin e objektit të këtij Universiteti. Kjo tha ajo po bëhet me synim të përmirësimit të cilësisë në arsim.
“Qeveria e Kosovës, konkretisht MAShTI, zotimet i ka të shenjta dhe jemi këtu për t’i përmirësuar kushtet në arsim. Ky është një nga nismat tona për përmirësimin e kushteve dhe infrastrukturës në arsim”.
“Për Universitetin tuaj janë ndarë edhe 250 mijë euro për renovimin e këtij objekti. Duke e ditur që këtu nuk ka pasur investime që nga vitet 70-ta, kjo ngjarje e bën edhe në historike”, tha Nagavci, teksa përmendi edhe krijimin e kushteve për studentët me aftësi të kufizuara.
E rektori i Universitetit “Ukshin Hoti”, Mentor Alishani, tha se prezenca e zyrtarëve qeveritarë tha se është dëshmi e përkushtimit për përmirësimin e infrastrukturës, raporton EO.
“Vetë prezenca e kryeministrit dhe ministres simbolizon qartë vëmendjen institucionale. Rëndësia e infrastrukturës është jetike për përmirësimin e arsimit në vend”.
“Biblioteka të pastra, ambiente të pastra dhe kabinetet të pasuruara. Ky objekt i sapo rinovuar njihet për multi-funksional, ku operojnë shumë njësi”, tha ai.