Kurti e Nagavci marrin pjesë në ndarjen e mirënjohjeve e shpërblimeve për fituesit e garave vendore e ndërkombëtare

Prishtinë | 22 Dhj 2023 | 11:25 | Nga Gzim Mujaj Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci kanë marrë pjesë në ceremoninë e ndarjes së mirënjohjeve dhe shpërblimeve simbolike për fituesit e garave në nivel vendor dhe fituesit e garave kredibile në nivelin ndërkombëtar, raporton Ekonomia Online.

Kryeministri Kurti tha se këtë vit Qeveria ka ndarë buxhetin më të madh ndonjëherë për sektorin e arsimit. Kjo sipas tij, po bëhet ngase Qeveria e konsideron prioritet arsimin, por që kërkoi bashkëpunim.

Që nga marrja e mandatit, e pandalshme mbetet mbështetja dhe angazhimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës për nxënësit dhe studentët. Ndër hapat e ndërmarrë në këtë fushë, kryeministri veçoi arsimin dual në 12 profile, 21 shkolla e 14 komuna; arsimin falas në nivelin e lartë publik; si dhe ndarjen e bursave për notë mesatare të lartë, bursave të tjera për studime brenda dhe jashtë vendit, bursave për studentët e komuniteteve e ata me aftësi të kufizuara, si dhe bursave për vajzat në fushën STEM.

“Me këtë arsim dual i cili po zbatohet nga 920 nxënës në 12 profile, 22 shkolla e 14 komuna për herë të parë i kemi nxënësit e shkollave profesionale që janë të gatshëm për tregun e punës me të kryer maturën. I kemi bërë studimet falas”.

“Në vitin 2023, në këtë vit në të cilin ngadalë po e përmbyllim në këto ditët e fundit të vitit, ndamë 1,647 bursa Bachelor dhe Master për studentët me notë të lartë mesatare; 1,882 bursa për vajzat që studiojnë në fushat STEM; 55 bursa për studentët e komuniteteve; 28 bursa për studentë me aftësi të kufizuara; 43 bursa për studentët e doktoratës që studiojnë jashtë në 500 universitetet më të mira; dhe 100 bursa për profilet deficitare”, shtoi kryeministri.

“E miratuar buxhetin më të madh të arsimit që e ka pasur Kosova ndonjë herë. Është e pa diskutueshëm që ne e konsiderojmë prioritet arsimin, por për këtë na duhet bashkëpunim i fortë me mësimdhënësit dhe prindërit”, tha ai.

Ministria e Arsimit, tha se së bashku me kryeministrin po shohin vetëm pas një viti dyfishim të fituesve në këto gara, gjë që sipas saj, kjo Ministri po e bën punën si duhet.

Nagavci është shprehur e gëzuar dhe e kënaqur me suksesin që kanë arritur ata.

“Fundviti vjen i mbarë dhe gëzueshëm për ju, me mirënjohje dhe dhurata të cilat me kënaqësi i ndajmë sot me ju dhe familjet tuaja”.

“Është ndjenjë e veçantë të ju kemi të gjithëve këtu dhe të ndajmë së bashku suksesin  që ju tashmë e keni arritur. Numri i fituesve në garat rajonale dhe ndërkombëtare është dyfishuar. Kjo na bënë që të punojmë drejtë. Të gjitha përpjekjet fokusohen rreth jush për të ju siguruar ambient të shëndetshëm në mënyrë që të bëheni individ të ndenje për vetën e shoqërinë”.

“E kuptojmë se sa ka rëndësi që ju të keni hapësira për të shfaqur talentin dhe dhuntitë e juaja. Garat e këtij lloji janë mundësi e shkëlqyera që ju të tregoni potencialin tuaj dhe kur këto gara kurorëzohen me fitore krenari për ne është edhe me e madhe. Ne vazhdojmë të punojmë drejtë për të ofruar kushte dhe shërbime më të mira edukative arsimore. Puna jonë ka nisur me ndërtimin dhe renovimin e hapësirave shkollave dhe çerdheve, me përmirësimin e cilësinë e teksteve dhe me krijimin e kushteve për digjitalizimi e arsimit”, tha ajo.

Fjala e plotë e Kryeministrit Kurti:

Është kënaqësi që jemi bashkë sot, në një ditë kremtimi të sukseseve të nxënësve tonë brenda dhe jashtë Kosovës. Këtyre fitoreve u shtohet edhe më shumë vlera, duke qenë nga fushat e matematikës dhe fizikës, që janë lëndët shkencore bazë për zhvillimin e nxënësve në shkollë.

Këto rezultate nga gara me bashkëmoshatarët tuaj nga vende të ndryshme të botës, janë dëshmi për potencialin që ju e keni. Andaj ushqejeni këtë potencial vazhdimisht e realizojeni plotësisht talentin dhe imagjinatën dhe kreativitetin tuaj.

Në shërbim të kësaj, që nga marrja e mandatit, mbështetja e Qeverisë sonë për nxënësit dhe studentët është e vazhdueshme dhe e pandalshme:

– Në vitin 2021 i patëm ndarë 1,799 bursa për studentët elitarë; 1,365 bursa për vajzat që studiojnë në STEM – shkencë, teknologji, inxhineri, dhe matematikë; dhe 16 bursa për studentët që studiojnë në top 150 universitetet më të mira në botë;

– Në vitin 2022 ndamë 1,383 bursa për vajzat në STEM; 86 bursa për studentët e komuniteteve; dhe 18 bursa për studentët në top 150 universitetet në botë;

– Ndërkaq në vitin 2023, në këtë vit në të cilin ngadalë po e përmbyllim në këto ditët e fundit të vitit, ndamë 1,647 bursa Bachelor dhe Master për studentët me notë të lartë mesatare; 1,882 bursa për vajzat që studiojnë në fushat STEM; 55 bursa për studentët e komuniteteve; 28 bursa për studentë me aftësi të kufizuara; 43 bursa për studentët e doktoratës që studiojnë jashtë në 500 universitetet më të mira; dhe 100 bursa për profilet deficitare.

Njëkohësisht, kemi në vëmendje të veçantë grupet e cenueshme të cilat meritojnë kujdes e stimulim të shtuar, siç janë nxënësit dhe studentët e komuniteteve rom, ashkali, egjiptian, dhe nxënësit e studentët me aftësi të kufizuara.

Ne si Qeveri po angazhohemi për nxënësit dhe studentët e të gjitha niveleve, për të krijuar kushtet optimale që ju të mësoni e të ecni përpara:

-Për parashkollorët kemi miratuar Ligjin për Edukimin në Fëmijërinë e Hershme për edukim të obligueshëm e cilësor nga mosha 0-6 vjeç, meqenëse edhe në kuptim të formimit të karakterit të njeriut, por edhe të arritjeve profesionale më vonë, fëmijëria e hershme nuk është gjithçka, por është shumëçka.

– Kemi përcaktuar normat dhe standardet për tekste të sakta dhe kompetente për nivelin parauniversitar, duke miratuar në Qeveri Projektligjin për Tekste Shkollore.

– Për herë të parë në Kosovë, në nivelin e mesëm të lartë, kemi përfshirë arsimin dual, mësim dhe praktikë pune bashkë me ministren Nagavci, me zëvendësministrin Kelmendi, me zëvendës ambasadorin gjerman dhe me GIZ-in gjerman, ishim në Swiss Diamond edhe në hotel Sirius, për të parë se si lidhet shkolla me punën. Pra arsimimi dhe aftësimi profesional me një vend pune për atë diplomë në tregun e punës, ku në shkollë punojnë e në punë mësojnë.

Gjithashtu në këtë arsim dual, i cili po zbatohet me 920 nxënës, në 12 profile, 21 shkolla e 14 komuna, për herë të parë i kemi nxënësit e shkollave profesionale që janë të gatshëm për tregun e punës, me të kryer maturën.

– Nga viti akademik 2021/2022, i kemi bërë studimet falas, pra studentët kanë shpenzime për jetesë e banesë, mirëpo jo për fakultetin në universitetin publik të Republikës së Kosovës. Në nivelin universitar, pra i kemi liruar 43 mijë studentë të universiteteve publike nga pagesa e studimeve në Bachelor dhe Master. Vetëm për doktoraturë duhet të paguajnë, Bachelor-i dhe Master-i në kuptimin e studimeve janë falas.

Javën e kaluar e miratuam buxhetin më të madh të arsimit që ka pasur Kosova ndonjëherë, me rreth 409 milionë euro, 17.3% rritje në buxhetin 2024 në krahasim me këtë vit 2023 që ngadalë po e lëmë pas.

Është e padiskutueshme që ne e konsiderojmë prioritet arsimin, por për këtë na duhet bashkëpunim i fortë me mësimdhënësit dhe prindërit.

Të dashur prindër,

Jemi të përkushtuar për të ofruar mbështetje pa rezervë, e pa kursim për nxënësit tanë e për fëmijët tuaj. Në çdo fazë të jetës parashkollore, shkollore e universitare. Mbështetje për çdo vajzë dhe djalë që të mësojnë e të punojnë drejtë dhe mbarë, duke u angazhuar bashkë për rritjen e fëmijëve, për ngritjen e të rinjve, e të angazhohemi kësisoj për rritjen dhe ngritjen e Republikës sonë.

Urime të gjithëve për këto suksese, paçi të arritura e fitore gjithmonë, e gëzuar edhe festat e këtij fundviti.

Ju faleminderit!

Të ngjashme