Projektligji për Financimin e Partive Politike në Kosovë ishte temë diskutimi ndërmjet subjekteve politike dhe shoqërisë civile, raporton Ekonomia Online.
I pranishëm ishte edhe kryeministri i vendit, Albin Kurti. Shefi i ekzekutivit, tha se ky projektligj është rëndësisë së veçantë, teksa kërkoi konsensus partiak.
Ai tha se i njëjti duhet të pranohet edhe nga partitë tjera, duke shtuar se paratë e partive politike të cilave nuk ju dihet as burimi as shuma, janë elemente të korrupsionit.
“Për ne, Ligji për financimin e partive politike duhet të përcaktoje qartë burimet e financimit, shumat e lejueshme dhe të ofrojë transparencë maksimale. Zgjedhjet, baza a e demokracisë varet nga një elektoral i mirë informuar, i cili zgjedhjen e bën mbi bazën e fakteve. Të njëjtat nuk mund të bëhen nga korporatat, grupet lobuese apo interesat speciale, përderisa populli e paguan faturën”.
“Po flas për fushatën kur partitë politike hedhin miliona në reklama dhe askush nuk e din se kush e si po financohet. Duhet ta kuptojmë se paratë në fushata dhe parti politike, ndërmjet fushatave, të cilave nuk u dihet burimi e as shuma, paraqesin elemente të korrupsionit dhe ndikojnë në elektoral, dhe kësisoj edhe në demokraci. Kur një korporatë jep miliona për një parti, nuk jep se ka simpati për të, por sepse dëshiron që nesër ai politikan të jetë në pushtet të fitojë shumëfishin e këtij i këtij investimi përmes tenderëve”.
“Pra korporatat për një parti politike janë investim që pret edhe kthim edhe fitim. Ne shpresojmë që në këto parime të kemi konsensus partiak sepse është në të mirë të përgjithshme, dhe nuk mund të lejojmë që rezultatet e zgjedhjeve e më pastaj edhe qeverisja të përcaktohen nga korporatat”, tha Kurti, teksa shtoi se ky diskutim të arrijë një pajtueshmëri ndërmjet partive politike.
Shefi i BE-së në Kosovë, Tomáš Szunyog, tha se ky projektligj është i rëndësisë së veçantë për funksionim të demokracisë.
“Ky projektligj është i nevojshëm për të siguruar kredibilitet. Ky proces legjislativ ka qenë i gjatë vitin e kaluar dhe draft ligji ka shkuar për aprovim. Grupet parlamentare e kanë ndërprerë këtë bashkëpunim dhe tashmë Kosova e ka një rast të mirë për ta finalizuar këtë pjesë të rëndësishme ligjore”.
“Financimi i partive politike është i një rëndësie të veçantë të funksionimit të mirëfilltë të demokracisë dhe sundimit të ligjit. Financimi i partive politike është një reformë gjithëpërfshirëse për të rritur transparencën dhe llogaridhënien dhe efektivitetin, në mënyrë që subjekte politike të jenë më të qarta”, tha Szunyog.
Kryeministri Kurti: Zgjedhjet nuk mund të varen nga korporatat, grupet lobuese apo interesat speciale, të cilat shkruajnë çeqe, përderisa populli paguan faturën
Prishtinë, 14 dhjetor 2021
Ligji për Financimin e Partive Politike, duhet të përcaktojë qartë burimet e financimit, shumat e lejueshme dhe duhet të ofrojë transparencë maksimale, tha Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në hapje të diskutimit publik për projektligjin për Financimin e Partive Politike.
Zgjedhjet, baza e demokracisë, varen nga një elektorat i mirinformuar, i cili zgjedhjen e bën mbi bazën e fakteve. Të njëjtat, nuk mund të varen nga korporatat, grupet lobuese apo interesat speciale, të cilat shkruajnë çeqe, përderisa populli paguan faturën, tha ai.
Kryeministri tha se Qeveria vërtet shpreson që në këto parime të kemi konsensus ndërpartiak, sepse është për të mirën e përgjithshme dhe nuk mund të lejojmë që rezultatet e zgjedhjeve, e më pastaj edhe qeverisja, të përcaktohen nga korporatat.
Transparenca e financimit duhet të konsiderohet qenësore tha Kryeministri Kurti, duke theksuar se demokracia e transparenca në institucione e shoqëri e pësojnë rëndë kur këto vlera mungojnë nëpër partitë politike, në fushatat zgjedhore apo edhe jashtë tyre.
Për këtë edhe jemi mbledhur sot këtu, ashtu që së bashku t’i japim drejtim të duhur projektligjit për financimin e partive politike e të konsiderojmë formën më të mirë për këtë, ashtu që dispozitat e hartuara të tregojnë që konsensusi politik në Republikën e Kosovës ndërtohet mbi vullnetin e përbashkët për transparencë, llogaridhënie e luftim të korrupsionit, tha ai.
Marrë parasysh rëndësinë e këtij projektligji dhe dështimin e hyrjes në fuqi të të njëjtit për vite me radhë në mungesë të konsensusit politik, Zyra e Kryeministrit e Republikës së Kosovës organizoi diskutimin me partitë politike dhe organizatat joqeveritare, ashtu që ky projektligj të miratohet në dritë të një procesi të mirëfilltë demokratik e të reflektojë në kontributin e përbashkët të të gjitha partive politike, në drejtim të hartimit e pastaj edhe të miratimit të këtij projektligji.
Fjala e kryeministrit Kurti:
I nderuari Ambasador Tomáš Szunyog
I nderuari përfaqësues i Bashkimit Evropian, Jarmo Helppikangas
E nderuara znj. Suokko,
Të nderuar deputetë,
Të nderuar përfaqësues të organizatave joqeveritare,
Të nderuar përfaqësues të mediave,
Ju faleminderit për pjesëmarrjen tuaj sot, me qëllim të diskutimit të Projektligjit për Financimin e Partive Politike.
Për një kohë të gjatë tani, e kemi parë se është vështirë të arrihet konsensus politik lidhur me formën përfundimtare të këtij projektligji. E dallimet, përveçse në formë, janë edhe në përmbajtje.
Për ne, Ligji për Financimin e Partive Politike, duhet të përcaktojë qartë burimet e financimit, shumat e lejueshme dhe duhet të ofrojë transparencë maksimale.
Zgjedhjet, baza e demokracisë, varen nga një elektorat i mirinformuar, i cili zgjedhjen e bën mbi bazën e fakteve. Të njëjtat, nuk mund të varen nga korporatat, grupet lobuese apo interesat speciale, të cilat shkruajnë çeqe, përderisa populli paguan faturën.
Po flas për fushatën, në të cilën partitë politike hedhin miliona në reklama, televizione e rrjete sociale dhe askush nuk e din se kush e si po financohen.
Duhet ta kuptojmë se paratë në fushatën zgjedhore, por edhe në parti politike ndërmjet fushatave, të cilave nuk u dihet as burimi e as shuma, paraqesin elemente të korrupsionit dhe ndikojnë në elektorat, e kësisoj edhe në demokracinë tonë.
Kur një korporatë jep miliona për një politikan, nuk i jep ato, sepse ka simpati për politikanin ose politikanen, por sepse dëshiron, që nesër ajo apo ai, të jetë në pushtet, të fitojë shumëfishin e këtij investimi, përmes tenderëve e licencave shtetërore.
Pra, për korporatat, paratë për një parti politike apo një politikan, janë investim, që pret edhe kthim, edhe fitim.
Ne vërtetë shpresojmë që në këto parime të kemi konsensus ndërpartiak, sepse është për të mirën e përgjithshme dhe nuk mund të lejojmë që rezultatet e zgjedhjeve, e më pastaj edhe qeverisja, të përcaktohen nga korporatat.
Duke i pasur parasysh këto, ne e kemi parë të domosdoshme diskutimin publik me qëllim të arritjes së pajtueshmërisë ndërmjet partive politike, ashtu që ky projektligj të miratohet në dritë të një procesi të mirëfilltë demokratik e të reflektojë në kontributin e përbashkët të të gjitha partive politike në drejtim të hartimit e pastaj edhe të miratimit të këtij projektligji.
Shkeljet e ndryshme të raportuara në media kanë shpërfaqur financimin e jashtëligjshëm të partive politike dhe të ndërlidhjes me korrupsionin.
Pyetja legjitime nga secili qytetar është se si do të luftojnë korrupsionin në qeveri, partitë të cilat nuk janë në gjendje të tregojnë burimet e financimit të tyre.
Ndarja e parasë, pra alokimi i mjeteve është i rëndësishëm në kuptim të funksionimit të partive politike por kjo duhet bërë mbi bazën e një kornize të qartë ligjore në të cilën duhet t’i kemi si bazë këto parime.
Balanca e arsyeshme ndërmjet financimit publik dhe privat, kriteret e drejta në lidhje me shpërndarjen e kontributeve ndaj partive politike, rregulla strikte lidhur me donacionet, vendosje e kufirit të shpenzimeve të ndërlidhura me fushata zgjedhore, transparencë e plotë e llogarive bankare dhe përcaktim i autoritetit të pavarur të auditimit dhe sanksioneve për partitë dhe kandidatët të cilët i shkelin rregullat.
Përmes këtyre parimeve japim përgjigje në një ndër pyetjet themelore, e kjo është si të hartohen dispozitat ligjore të cilat mundësojnë funksionimin e mirëfilltë të partive politike por edhe ruajtjen dhe rritjen e besimit të qytetarëve në demokraci.
Transparenca e financimit duhet të konsiderohet qenësore në këtë drejtim, e demokracia e transparenca në institucione e shoqëri e pësojnë rëndë kur këto vlera mungojnë nëpër partitë politike, në fushatat zgjedhore apo edhe jashtë tyre.
Për këtë edhe jemi mbledhur sot këtu, ashtu që së bashku t’i japim drejtim të duhur projektligjit për financimin e partive politike e të konsiderojmë formën më të mirë për këtë, ashtu që dispozitat e hartuara të tregojnë që konsensusi politik në Republikën e Kosovës ndërtohet mbi vullnetin e përbashkët për transparencë, llogaridhënie e luftim të korrupsionit.