Kryeministri Albin Kurti, tha se është hera e parë që në Kosovë nuk ka pasur protesta me parulla “duam punë”, pasi janë hapur 75 mijë vende të reja të punës, raporton Ekonomia Online. Këto komente, Kurti i ka bërë në në mbledhjen e Këshillit Kombëtar për Ekonomi dhe Investime. Ai tha lavdëroi Kosovën për investitorët e jashtëm dhe fuqinë punëtore në Kosovë, veçanërisht rininë. Kurti tha se përfundimi i plotë i mandatit të Qeverisë së tij është shenjë e një stabiliteti politik në Kosovë.
“Investitorët siç e dimë kërkojnë konsistencë dhe shërbime me burokraci që të jetë e mundur. Për fat të mirë si ekzekutiv jemi Qeveria e parë që do ta përfundojë mandatin e plotë, një tregues i qartë i stabilitetit institucional dhe politik por edhe i besimit që kemi ndërtuar në proceset tona. Një pjesë thelbësore është edhe fuqia jonë punëtore, duke përmirësuar arsimin dhe trajnimin profesional”.
“Jemi Qeveria e parë në Kosovë ku nuk ka pasur asnjë protestë të vetëm ku figuron ‘duam punë’. Duam paga më të larta, sigurisht, kushte më të dinjitetshme të punës sigurisht, por duam punë nuk ka më parrulla, dhe kjo është si pasojë e drejtpërdrejtë e 75 mijë vendeve të reja të punës”, tha Kurti.
“Kosova është një destinacion tërheqës dhe i favorshëm për investime me një popullsi të re dhe dinamike vendi ynë ka potencial për t’u shndërruar në një qendër rajonale për investime dhe transfer të proceseve të biznesit. Disa nga faktorët që e mbështesin këtë potencial përfshijnë stabilitetin institucional të vendit tonë që është i shoqëruar me fuqizimin e demokracisë dhe sundimin e ligjit, pastaj afërsia me tregjet e Europës perëndimore që ofron mundësi të jashtëzakonshme për tregti dhe investime, mandej rritja ekonomike mesatare prej 6.2% gjatë këtyre dy viteve të fundit, e cila tregon një trend pozitiv në zhvillimin ekonomik, pastaj zhvillime i projekteve infrastrukturore”, tha Kurti, duke listuar edhe arsye të tjera.
“Dhe rinia e madhe e cila është e kombinuar me ekspertizën, shumëgjuhësinë e saj dhe vullnetin e mirë të mërgatës sonë padyshim që përbën element të fuqishëm për bazë të fuqishme për zhvillim të mëtutjeshëm”.
“Investitorët siç e dimë të gjithë kërkojnë parashikueshmëri, konsistencë dhe shpejtësi në shërbime me sa më pak burokraci që të jetë e mundur. Për fat të mirë, tash si ekzekutiv jemi Qeveria e parë, e cila do të përfundojë një mandat të plotë, një tregues i qartë i stabilitetit institucional e politik, por edhe i besimit që kemi ndërtuar në proceset tona demokratike e zhvillimore. Një aspekt tjetër që dua të theksoj është politika “friendshoring”, një mundësi që po konsiderohet gjithnjë e më shumë nga prodhues të ndryshëm për t’u rialokuar në rajonin tonë sa më larg prej zonave të ndryshme të konflikteve apo të tensioneve dhe padyshim që kjo ofron mundësi të shkëlqyer për Kosovën”.
Më tej, listoi disa nga faktorët të cilët e mbështesin këtë potencial e që përfshijnë: stabilitetin institucional të vendit tonë, që është i shoqëruar me fuqizimin e demokracisë dhe sundimin e ligjit; afërsia me tregjet e Evropës Perëndimore që ofron mundësi për tregti dhe investime; rritja ekonomike mesatare prej 6.2% gjatë këtyre dy viteve të fundit, e cila tregon një trend pozitiv në zhvillimin ekonomik; zhvillimi i projekteve infrastrukturore në sektorët e transportit, mjedisit dhe energjisë, të cilat janë thelbësore për një ekonomi të qëndrueshme; zhvillimi i hovshëm i grupeve sektoriale si shërbimet e mundësuara nga teknologjia informative, prodhimi, bujqësia dhe përpunimi i ushqimit të cilët janë motorë të rritjes ekonomike; dhe rinia e madhe, e cila, e kombinuar me ekspertizën, shumëgjuhësinë e saj edhe vullnetin e mirë të mërgatës sonë përbëjnë një element të rëndësishëm për zhvillimin e vendit.
Kryeministri foli edhe rreth fuqisë sonë punëtore dhe rëndësinë e përmirësimit të arsimit dhe trajnimit profesional në përputhje edhe me nevojat e sektorit privat.
“Tash që po flasim, janë 23 shkolla në 14 komuna anembanë Kosovës, me 12 profile, gjithsej rreth 1600 nxënës dhe jemi qeveria e parë në Kosovën e pasluftës, ku nuk ka pasur asnjë protestë të vetme, në të cilën figuron parulla: “Duam punë”. Duam paga më të larta, sigurisht, kushte më të dinjitetshme të punës, padyshim, por “duam punë” nuk ka më parulla dhe kjo, besoj që është pasojë e drejtpërdrejtë e 75 mijë vendeve të reja të punës në 425 mijë nga 350 mijë sa ishin në pranverën e vitit 2021.” u shpreh kryeministri.
Ai shtoi se konkurrenca fer nga sektori privat në njërën anë, dhe përmirësimet e duhura dhe me kohë nga institucionet publike në anën tjetër, janë çelësi për përmirësimin e vazhdueshëm të mjedisit të të bërit biznes dhe të nxitjes së zhvillimit të mëtejmë ekonomik.
Në përmbyllje të fjalës së tij, kryeministri kërkoi që dialogu i sotëm të fokusohet gjithnjë e më shumë në mundësitë e investimeve dhe të eksportit dhe se përmes politikave të mira ne mund të parandalojmë sfidat, sepse mund t’i parashikojmë ato, dhe të sigurojmë rritje të qëndrueshme. “Që të vazhdojmë këtë dialog, unë besoj se duhet ta konfirmojmë qëllimin e qartë, e kjo është: ta bëjmë Kosovën një vend ku bizneset lulëzojnë dhe qytetarët jetojnë mirë, gjithnjë e më mirë”, përfundoi kryeministri.
Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:
Sot në këtë takim të Këshillit Kombëtar për Ekonomi dhe Investime, dëshiroj të ndaj disa çështje që besoj se janë kyçe e që lidhen me prioritetet ekonomike dhe reformat të cilat Qeveria e Kosovës po i ndërmerr për të përmirësuar klimën e biznesit dhe për të nxitur investimet e huaja si dhe zhvillimin e brendshëm.
Kosova është një destinacion tërheqës dhe i favorshëm për investime. Me një popullsi të re dhe dinamike, vendi ynë ka potencial të madh për t’u shndërruar në një qendër rajonale për investime dhe transfer të proceseve të biznesit, apo siç thuhet shpesh në anglisht “Business Process Outsourcing”. Disa nga faktorët të cilët e mbështesin këtë potencial, përfshijnë stabilitetin institucional të vendit tonë, që është i shoqëruar me fuqizimin e demokracisë dhe me sundimin e ligjit. Pastaj, afërsia me tregjet e Evropës Perëndimore që ofron mundësi të jashtëzakonshme për tregti dhe investime. Mandej rritja ekonomike mesatare prej 6.2% gjatë këtyre dy viteve të fundit e cila tregon një trend pozitiv në zhvillimin ekonomik. Pastaj është zhvillimi i projekteve infrastrukturore në sektorët e transportit, mjedisit dhe të energjisë, të cilat janë thelbësore për një ekonomi të qëndrueshme. Zhvillimi i hovshëm i grupeve sektoriale si shërbimet e mundësuara nga teknologjia informative, prodhimi, bujqësia, përpunimi i ushqimit, pra industria e lehtë, të cilët janë gjithsesi motorë të rritjes ekonomike. Dhe rinia e madhe e cila është e kombinuar me ekspertizën, shumëgjuhësinë e saj edhe vullnetin e mirë të mërgatës sonë, padyshim që përbën element të rëndësishëm për bazë të fuqishme për zhvillim të mëtutjeshëm.
Investitorët, siç e dimë të gjithë, kërkojnë parashikueshmëri, konsistencë dhe shpejtësi në shërbime, me sa më pak burokraci që të jetë e mundur. Për fat të mirë, tash si ekzekutiv jemi qeveria e parë e cila do ta përfundojë një mandat të plotë, një tregues i qartë i stabilitetit institucional dhe politik por edhe i besimit që kemi ndërtuar në proceset tona demokratike e zhvillimore.
Një aspekt tjetër që dua të theksoj është politika e “friendly-shoring”, një mundësi që po konsiderohet gjithnjë e më shumë nga prodhues të ndryshëm për t’u rialokuar në rajonin tonë, sa më larg prej zonave të ndryshme të konflikteve apo të tensioneve, dhe padyshim që kjo ofron mundësi të shkëlqyer për Kosovën për të përfituar nga tendencat globale të zhvillimit, ku përherë e më shumë interesat nuk shihen të ndara prej vlerave dhe në të njëjtën kohë kemi rikthim të planifikimeve më afatgjate sesa që ishte rasti në vitet e shkuara.
Një pjesë tjetër thelbësore e këtij ekuacioni është edhe fuqia jonë punëtore. Duke e përmirësuar arsimin dhe trajnimin profesional në përputhje me nevojat e sektorit privat, ne po ndërtojmë një të ardhme më të ndritur për qytetarët tanë. Duam që ata të jenë sa më të përgatitur dhe konkurrues, këtu në Kosovë, në mënyrë që bizneset tona të gjejnë talentin e nevojshëm brenda vendit.
Tash që po flasim, janë 23 shkolla në 14 komuna anembanë Kosovës, me 12 profile, gjithsej rreth 1600 nxënës dhe jemi qeveria e parë në Kosovën e pasluftës, ku nuk ka pasur asnjë protestë të vetme, në të cilën figuron parulla: “Duam punë”. Duam paga më të larta, sigurisht, kushte më të dinjitetshme të punës, padyshim, por “duam punë” nuk ka më parulla dhe kjo, besoj që është pasojë e drejtpërdrejtë e 75 mijë vendeve të reja të punës në 425 mijë nga 350 mijë sa ishin në pranverën e vitit 2021.
Një nga arritjet më relevante për sot është krijimi i kësaj platforme dialogu, që na ka mbledhur. Ky format i ri ka përmirësuar ndjeshëm dhe do të vazhdojë të thellojë cilësinë e bashkëpunimit mes sektorit publik dhe atij privat. Asnjëri nuk jemi të vetëmjaftueshëm, por besoj që nëse jo gjithçka, shumëçka bëjmë veçse bashkë. Përmes këtij dialogu, identifikohen mundësi të reja për të avancuar sektorin privat, për të tërhequr investime të huaja direkte, për të rritur eksportet dhe për të përmirësuar konkurrencën e bizneseve tona.
Kjo platformë u ofron aktorëve të sektorit privat mundësinë të identifikojnë sfidat dhe çështjet që i hasin. Çfarë mbetet për t’u bërë, brenda kësaj metodologjie pune, është që këto çështje të vlerësohen dhe të validohen nga institucionet përkatëse publike. Më pas, institucionet publike përcaktojnë proceset dhe metodologjinë e zgjidhjes së atyre çështjeve, duke përfshirë fazat e nevojshme dhe afatet kohore për secilën etapë. Kjo i mundëson Sekretariatit që të bëjë mbikëqyrje të drejtë, e përfundimisht, presim nga Sekretariati që të bëjë vlerësimin e intervenimeve dhe përmirësimeve eventuale nga sektori publik, përmes indikatorëve të rezultateve dhe të ndikimit tek qytetarët e tek bizneset.
Vetëm përmes një qasje të strukturuar dhe të mirëpërcaktuar, mund të garantojmë që çdo problem i identifikuar do të trajtohet në mënyrë efektive dhe me kohë. Kjo kërkon bashkëpunim të ngushtë pra, midis sektorit publik edhe privat, duke siguruar që çdo institucion publik të jetë përgjegjës për zgjidhjen e sfidave që sektori privat i paraqet dhe anasjelltas.
Konkurrenca fer nga sektori privat në njërën anë, dhe përmirësimet e duhura dhe me kohë nga institucionet publike në anën tjetër – janë çelësi për përmirësimin e vazhdueshëm të mjedisit të të bërit biznes dhe të nxitjes së zhvillimit të mëtejmë ekonomik. E ftoj Sekretariatin që të punojë për të përgatitur këta dy hapa për mbledhjen e ardhshme të këtij Këshilli, në mënyrë që të kemi një pasqyrë të qartë për kërkesat dhe pritjet e sektorit privat dhe për veprimet e mundësitë që mund t’i ofrojë sektori publik.
Kur i bashkojmë idetë tona dhe ndajmë një vizion të përbashkët për të ardhmen e vendit, padyshim që edhe rezultatet shtohen, rriten. Sepse, në fund, kjo nuk ka të bëjë vetëm me interesin e përgjithshëm të sektorit privat, ka të bëjë përfundimisht me jetesën dhe mirëqenien e qytetarëve tanë. Dhe unë e di që nuk ka ndërmarrje private e cila nuk i gëzohet, gëzimit të qytetarëve, e cila nuk e mirëpret rritjen e mirëqenies tek qytetarët.
Kur dikush tenton ta vlerësojë bashkëpunimin tonë si të vështirë apo largqoftë të pamundur, ne ia kujtojmë që çdo mision fillon me një diskutim të gjatë, me bashkëpunim të sinqertë dhe në të njëjtën kohë me zgjidhje të shpejtë. Andaj, ju ftoj që le të shpenzojmë mbase më shumë kohë se zakonisht në diskutim e planifikim, në mënyrë që të shpenzojmë shumë më pak kohë sesa zakonisht në ekzekutim, në përmbarim. Është e rëndësishme që të bashkëpunojmë në mënyrë efektive pra, për zgjidhje të qëndrueshme dhe me ndikim pozitiv maksimal si për qytetarët, ashtu edhe për bizneset.
Vetëm përmes një partneriteti të ngushtë mes institucioneve qeveritare dhe sektorit privat, mund ta përmirësojmë infrastrukturën, të zgjerojmë sektorët strategjikë dhe të sigurojmë që Kosova mbetet një destinacion i qëndrueshëm për investime dhe inovacion dhe se së bashku edhe brenda vendit edhe ndërkombëtarisht do ta afirmojmë këtë gjë.
Shpresoj që dialogu i sotëm të fokusohet gjithnjë e më shumë në mundësitë e investimeve dhe të eksportit. Përmes politikave të mira, ne mund të parandalojmë sfidat, sepse mund t’i parashikojmë ato dhe të sigurojmë rritje të qëndrueshme sepse e kemi bazën për këtë. Ndërkaq, që të vazhdojmë këtë dialog, unë besoj se duhet ta konfirmojmë qëllimin e qartë, e kjo është: ta bëjmë Kosovën një vend ku bizneset lulëzojnë dhe qytetarët jetojnë mirë, gjithnjë e më mirë.
Ju faleminderit për vëmendjen dhe mirëpres diskutimet e sotme e sugjerimet tuaja për përmirësimet e mëtejme.