Ish-deputetja e Kuvendit të Kosovës, tani opinioniste politike, Donika Kadaj-Bujupi, ka thënë nuk ka rëndësi që deklaratat e sotshme të Albin Kurtit për Asociacionin të jenë në shpërputhje, pasi që ai edhe më parë ka pasur deklarata të tilla, ku një presidente që e votoi demarkacionin ai e bëri presidente.
Në emisionin ‘Pressing’, derisa po diskutohej për presionin ndërkombëtar që po i bëhej Kurtit për Asociacionin, Kadaj Bujupi tha se nuk ka rëndësi që veprimet dhe deklaratat e Kurtit janë në shpërputhje.
Ajo tha se Kurti në mbrëmje thotë se ata që e kanë votuar demarkacionin duhet të shkojnë në burg se kanë bërë tradhti kombëtare, të nesërmen një votuese të demarkacionit e bën presidente.
“Pra s’ka rëndësi që veprimet dhe deklaratat e Kurtit janë në shpërputhje, psh: Në mbrëmje thotë ata që e kanë votuar demarkacionin duhet të shkojnë në burg, se kanë bërë tradhti kombëtare, të nesërmen një votuese të demarkacionit e bën presidente, tjetrën shefe të Grupit Parlamentar. Tash s’ka rëndësi që deklaratat e Kurtit janë në shpërputhje sepse Kurti kërkon që të përbrendsohet idea që gjithçka e gjithkush përreth tij çoftë afër tij apo kundërshtar i tij është çdoherë gabim krahasuar me të”, ka thënë Kadaj-Bujupi në T7.
Kryeministri Albin Kurti ka vendosur që afati për targat nuk do të shtyhet, edhe përkundër thirrjeve të aleatëve ndërkombëtarë që një gjë e tillë të ndodh.
Kurti para mediave të martën, tha se Kosova e ka shtyrë afatin njëherë, ndërsa u bëri thirrje qytetarëve serbë që në ditët e mbetura t’i konvertojnë tabelat ilegale në RKS.