Kurti hap fushatën “16 Ditët e Aktivizmit”: Dhuna në familje është krim, alarm që nuk pret

Prishtinë | 25 Nën 2025 | 21:47 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë sonte në hapjen e fushatës globale “16 Ditët e Aktivizmit Kundër Dhunës me Bazë Gjinore”, ku në fjalimin e tij theksoi se dhuna ndaj grave dhe vajzave mbetet një alarm urgjent për shoqërinë dhe institucionet e vendit.

Kurti tha se çdo grua që ndjen frikë gjatë natës dhe çdo fëmijë që përjeton britma në vend të qetësisë, është një thirrje që kërkon reagim të menjëhershëm.

“Ky alarm nuk pret. Shteti ka detyrim të mbrojë, të garantojë siguri dhe drejtësi, sikurse edhe që shoqëria ka detyrimin të mos heshtë”, u shpreh ai.

Ai theksoi se e ardhmja nuk mund të ndërtohet mbi trauma të pashëruara apo mbi një kulturë që e relativizon dhunën.

“Dhuna në familje nuk justifikohet nga asgjë, askund, asnjëherë. As nga ngarkesa a stresi, e as nga ndonjë traditë a zakon”, tha Kurti, duke shtuar se krahas ligjit, vendit i duhet guxim shoqëror për të raportuar dhe për të thënë “mjaft”.

Kryeministri në detyrë prezantoi edhe rezultatet dhe masat që Qeveria e Kosovës ka ndërmarrë gjatë viteve të fundit për të luftuar dhunën me bazë gjinore. Ai theksoi se Strategjia Kombëtare për Mbrojtje nga Dhuna në Familje dhe Dhuna ndaj Grave 2022–2026 është realizuar ose është në zbatim në 94.5% të aktiviteteve.

Mes masave të prezantuara ishin:

  • zbatimi i Protokollit Shtetëror për trajtimin e rasteve të dhunës seksuale,
  • programet psiko-sociale për trajtimin e kryerësve të dhunës,
  • ndihma juridike falas për viktimat – 671 raste në fushën civile (588 gra) dhe 310 raste në fushën penale (187 gra),
  • Ligji për Kompensimin e Viktimave të Krimit,
  • masa për punësimin e grave viktima të dhunës,
  • dhe ndarja e 7.3 milionë eurove për strehimoret dhe OJQ-të sociale gjatë periudhës 2021–2025.

Kurti shtoi se është zgjeruar edhe databaza nacionale për evidentimin e rasteve të dhunës, duke përfshirë tani nëntë institucione.

Në fjalën e tij, ai vuri theksin edhe te roli i teknologjisë dhe rëndësia e solidaritetit shoqëror.

“Kur ne zgjedhim të shpërndajmë mirësi dhe të vërtetën, atëherë edhe labirinthet bëhen ura që na lidhin”, theksoi Kurti, duke premtuar mbështetje të vazhdueshme për të gjitha iniciativat që synojnë mbrojtjen e viktimave dhe parandalimin e dhunës.

Ai përfundoi se lufta kundër dhunës me bazë gjinore nuk është vetëm çështje e grave:
“Para së gjithash e mbi të gjitha duhet t’i emancipojmë burrat, djemtë e rinj. Është çështje e mbarë shoqërisë dhe së bashku do të ndërtojmë një Republikë ku drejtësia triumfon e pabarazia bie.”

Të ngjashme