Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i ka dërguar sot Gjykatës Kushtetuese një parashtresë përmes të cilës ka theksuar shqetësimet e Qeverisë në detyrë në lidhje me procedurat që po zhvillohen pranë kësaj Gjykate pas kërkesës së dorëzuar nga disa deputetë të Kuvendit të Kosovës.
Bëhet fjalë për ankesën që e çoi Partia Demokratike e Kosovës në Kushtetuese, lidhur me vendimin e Ministrisë së Shëndetësisë për kufizimin e lëvizjeve.
Kurti i ka kërkuar Gjykatës që të respektojë afatet ligjore të përcaktuara me Ligjin për Gjykatën Kushtetuese i cili i njeh Qeverisë një afat prej 45 ditësh për t’u përgjigjur në kërkesën e dorëzuar, dhe jo një afat 4 ditor sikurse e kishte theksuar Gjykata në njoftimin e saj.
Në një konferencë për media, Kurti tha se “Shkresa që e kam dërguar në Gjykatën Kushtetuese është për deputetët që po synojnë të problematizojnë masat e qeverisë që i ka marrë Ministria e Shëndetësisë. Adresimi ynë në Kushtetuese varet prej teksteve që do lexojmë në letrat e Presidentit”.
Ndërsa, në letrën dërguar mediave, “Ai theksoi shqetësimin se për dallim nga rasti konkret, ku po procedohet me kërkesën e deputetëve të Kuvendit, ndonëse të njëjtit nuk e kanë qartësuar dhe saktësuar kërkesën e tyre, në praktikën e Gjykatës Kushtetuese ka disa raste të cilat janë refuzuar në procedurë të shkurtër sipas Rregullit 35.5 të Rregullores së Punës së Gjykatës”.
Për fund, Kurti ritheksoi faktin se Qeveria me tërë kapacitetin e saj është e përkushtuar në luftën kundër infeksionit COVID-19 dhe pret që Gjykata, ngjashëm sikurse institucionet ekuivalente me të në shtetet perëndimore, të tregojë kujdes të veçantë ndaj jetës dhe shëndetit të qytetarëve.