Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është shprehur i shqetësuar në lidhje me sundimin e ligjit në Serbi.
Kurti, me anë të një postimi në llogarinë e tij në platformën X, duke bashkëngjitur reagimin e kryetarit të Partisë së Socialistëve Evropian, Stefan Lofven, ka thënë se zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë gur themel i stabilitetit dhe progresit.
“I përsëris shqetësimet e ngritura nga Presidenti i PES Stefan Lofven në lidhje me sundimin e ligjit në Serbi. Zgjedhjet e lira dhe të ndershme, si gur themeli i stabilitetit dhe progresit, duhet të mbrohen kolektivisht. Këto shtylla të demokracisë janë vendimtare për aspiratat tona të përbashkëta si socialdemokratë”, shkroi Kurti në platformën X.
“Si një parti politike evropiane që ndan dhe mbron vlerat themelore të Bashkimit Evropian si demokracia, sundimi i ligjit, të drejtat civile dhe mundësitë e barabarta për të gjitha partitë politike legjitime për të marrë pjesë në zgjedhje, ne duhet të reagojmë për parregullsitë e konstatuara nga Vëzhgimi Ndërkombëtar i Zgjedhjeve gjatë zgjedhjeve në Serbi”, thuhet në letrën që Lofven i ka dërguar kryeministres së Serbisë, Ana Bërnabiq me datën 9 janar të këtij viti./KK