Kurti i prezanton dronët, oficerët janë trajnuar, por Kosova s’e kontrollon hapësirën e vet ajrore

Prishtinë | 16 Kor 2023 | 13:59 | Nga Ekonomia Online

Ushtria e Kosovës është pajisur me dronë “Bayraktar” dhe lajmin të cilin Ministria e Mbrojtjes s’e konfirmonte qartë deri tani, sot e bëri publik kryeministri Albin Kurti përmes disa fotografive. Disa oficerë të FSK-ja tashmë kanë përfunduar trajnimin për t’i përdorur dronët. Megjithatë, Kosova ende nuk është përgjegjëse për hapësirën e saj ajrore. Për të ende pyetet KFOR-i.

Kosova ka blerë dronë “Bayraktar” nga Turqia. Kryeministri Albin Kurti zgjodhi ditën e sotme të bënte foto me këto mjete ushtarake që janë bërë elementi kyç i luftës në Ukrainë.

Ministria e Mbrojtjes kishte hezituar të pohonte qartazi se FSK-ja është pajisur me këta dronë. Por pa e mohuar lajmin, nga kjo ministri i kishin thënë Expressit në maj se po i ngrisin kapacitetet e ushtrisë, duke pëfshirë “investimin në blerjen e pajisjeve më moderne ushtarake”.

“Forca e Sigurisë së Kosovës që nga viti 2019 është duke u zhvilluar në përputhje me Planin Gjithëpërfshirës të Tranzicionit, me fokus ngritjen e kapaciteteve profesionale dhe operacionale, duke përfshirë dhe investimin në blerjen e pajisjeve më moderne ushtarake”, thuhej në përgjigjen e Ministrisë më 7 maj.

Për armatimin, Ministria përmendte koordinimin e vazhdueshëm me partnerët strategjikë.

“Në koordinim të vazhdueshëm me partnerët tanë strategjik për këtë jemi duke u angazhuar në vazhdimësi, me synim avancimin e ushtrisë në nivelin e standardeve të NATO-së, për t’i shërbyer paqes dhe sigurisë në vend, rajon dhe me gjerë”, thuhej më tej në përgjigjen e Ministrisë së Mbrojtjes.

Kryeministri Albin Kurti tregoi sot në Facebook se disa oficerë të FSK-së “e kanë kryer trajnimin për përdorimin e dronëve”, duke i përgëzuar ata.

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj shkroi se procesi i blerjes së dronëve s’ka qenë i lehtë. Tha se posedimi i tyre “është i domosdoshëm për mbrojtjen e vendit tonë”.

FSK-ja me shpirtin luftarak të trashëguar nga UÇK-ja dhe me pajisjet moderne që po i sigurojmë çdo ditë, bëhet ushtri e pathyeshme dhe garantuese e paqes.

Kosova s’e kontrollon hapësirën e saj ajrore

Kosova ende nuk arrin ta kontrollojë të gjithë hapësirën e saj ajrore.

Në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe Marrëveshjen Teknike Ushtarake të vitit 1999, por edhe me ligjet e tanishme në Kosovë, komandanti i misionit të KFOR-it, përkatësisht NATO-s, është përgjegjës për sigurinë e hapësirës ajrore të Kosovës.

Agjencia e Shërbimeve të Navigacionit Ajror të Kosovës e menaxhon hapësirën e ulët ajrore, duke ofruar shërbime për aeroplanët civilë me qëllim të aterrimit dhe ngritjes nga Aeroporti i Prishtinës. Por, hapësira e lartë ajrore nga 6,250 e më lart, e hapur për trafikun komercial nga viti 2014, është nën kontrollin e Hungarisë, përkatësisht të HungaroControl-it, i cili ofron shërbimet teknike të kontrollit të trafikut në këtë lartësi. Kjo për shkak se Kosova ende nuk ka arritur kapacitete për ta menaxhuar hapësirën e lartë ajrore.

Marrëveshja fillimisht parashihte që HungaroControl-i ta kontrollonte hapësirën e lartë ajrore të Kosovës për pesë vjet, por meqë vendi nuk kishte arritur t’i plotësonte kriteret, në marrëveshje me NATO-n, kjo është zgjatur për një afat të pacaktuar..

Për ta fituar të drejtën për menaxhimin e hapësirës së lartë ajrore mbi territorin e saj, Kosova duhet t’i ngrisë kapacitetet teknike dhe t’i tejkalojë pengesat në planin politik.

Përveç përgatitjes së kuadrove dhe blerjes së pajisjeve që nevojiten për ta kontrolluar këtë hapësirë ajrore, Kosova duhet të anëtarësohet në Organizatën Ndërkombëtare të Aviacionit Civil.

Të ngjashme