Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosjes ka vendosur që me një letër të hapur t’i drejtohet kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj mbi rrugën përpara që sipas tij, duhet ndjekur për problemin e shkaktuar nga marrëveshja për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.
Letra e plotë:
Letër kryeministrit të Kosovës z. Ramush Haradinaj mbi rrugën përpara që duhet ndjekur për problemin e shkaktuar nga marrëveshja për ‘demarkacionin’ e kufirit me Malin e Zi
I nderuar kryeministër Haradinaj,
Pas 10 vjetorit të shpalljes së pavarësisë dhe 20 vjetorit të Epopesë së UÇK-së, do të duhej të renditnim të arriturat dhe ngecjet, sukseset e dështimet tona. Të reflektonim për rrugën e kaluar dhe vitet përpara nesh. Por, ja që asnjëherë nuk po kemi kohën dhe ambientin e duhur për të bërë bilancin, nga po vijmë, ku jemi, kah po shkojmë… Dominohemi që të gjithë, kush më shumë e kush më pak, nga aktualiteti i urgjencave të ndryshme, më shumë të importuara sesa të brendshme, të cilat nuk lejojnë planifikim dhe mendim. Një e këtillë është edhe çështja e ‘demarkacionit’ ridefinues të kufirit me Malin e Zi.
Nëse i pyesim qytetarët e Kosovës se cilat janë për ta prioritetet, shumica e tyre pa dallim moshe, gjinie, prejardhjeje, feje e etnie, do të thoshin se mbi të gjitha e para së gjithash duan drejtësi dhe punësim. Me fjalë të tjera, problemet kryesore të Kosovës janë krimi e korrupsioni në njërën anë, dhe, papunësia e mjerimi në anën tjetër.
Mirëpo, ja që urgjencat na e imponojnë si prioritet këtë ‘demarkacionin’ e dëmshëm me Malin e Zi. E kam përshtypjen që sikur të mos ishte ‘demarkacioni’ do të ishte ‘zajednica’, e nëse nuk do të ishte as ajo, atëherë do të problematizohej ndonjë ndërtim xhamie a kishe, dhe, sërish, nuk do të ishin prioritet punësimi i të rinjve dhe grave, arsimimi i nxënësve dhe studentëve, shëndetësia për të gjithë… Do të na shfaqej një urgjencë e radhës duke na mbajtur të ngujuar politikisht në njëfarë klinike emergjente të spitalit që nuk ekziston. Madje, e kotë është të çlirohesh nga urgjenca më e re duke u dorëzuar para saj. Vjen tjetra, menjëherë, thua se gjithmonë ishte aty, duke pritur edhe ajo. Urgjenca prin. Ne i shkojmë pas. Prandaj dhe jemi kaq të prapambetur. Jeta politike dhe përvoja institucionale e vendit tonë dominohet nga aktualiteti si urgjencë.
Për shkak të urgjencave nuk po arrijmë as të mendojmë. Urgjenca kërkon reagim të detyrueshëm, jo planifikim të menduar. Ndoshta urgjenca është aty pikërisht që të detyrohemi të vrapojmë e të mos mund të mendojmë? Urgjencë shaka, njëlloj urgjence që porsi shakaja ka të bëjë me diçka tjetër.
Ngutia për të ratifikuar ‘demarkacionin’ me Malin e Zi është bërë urgjenca e ditës ‘për shkak të vizave’. Ndërkohë, që të gjithë e dimë se ratifikimi i ‘demarkacionit’ është kushti i parafundit dhe jo i fundit për liberalizimin e vizave. Sepse, edhe po ta harrojmë e abstraktojmë kufirin me Serbinë dhe kushtëzimet e mundshme vijuese, kushti tjetër është po aq i rëndësishëm për BE-në (në mos edhe më shumë se aq): luftimi i krimit e korrupsionit, me vendime të prera e të fundme në afër 40 raste korrupsioni. Sepse, nuk ka heqje vizash pa miratimin e ligjit për konfiskimin e pasurisë së paligjshme, pa ndryshim të Kodit Penal e të Kodit të Procedurës Penale, e, qe besa, edhe pa arrestimin e disa peshkaqenëve të krimit.
Prandaj, shtrohet pyetja, a nuk mund ta luftojmë korrupsionin e krimin pa e bërë njëherë këtë ‘demarkacionin’?! A thua mosratifikimi i ‘demarkacionit’ na e paska penguar luftimin e krimit e korrupsionit?! Non sequitur. Lidhja e marrëveshjes për demarkacion me lëvizjen e lirë është veçse shantazh i qytetarëve të Kosovës.
Qytetarët nuk duhen gënjyer. Ratifikimi nuk jep garancion për liberalizimin e vizave. Ky kushti tjetër është më i vështirë dhe vendimtar. Po ashtu, në BE me shpejtësi po ngjiten në qeverisje partitë e ekstremit të djathtë të cilat kanë qëndrim negativ ndaj Kosovës. Gjasat që edhe këtë vit të mos ketë heqje vizash janë më të mëdha sesa që të ketë. Qytetarëve duhet t’iu thuhet e vërteta.
Le t’i kthehemi edhe njëherë ‘demarkacionit’ si të tillë. Deklarata Thaçi-Vujanoviq ofron gabim në hapa: korrigjim pas ratifikimit, që do të thotë: korrigjim pas vulosjes! Pse të mos bëjmë njëherë korrigjim e pastaj ratifikim? Por, edhe këtu, që të gjithë e dimë pse. Mund të korrigjohen maksimalisht disa hektarë, jo 8.200 hektarë! Dhe, ai korrigjim eventual do të insistohet të jetë përbrenda logjikës këmbimore tit for tat e cila do të na i dëmtojë marrëdhëniet me Malin e Zi. Pas ratifikimit, për çfarëdo korrigjimi do të na thonë: meqë po t’i jap kaq metra këtu, m’i jep po aq metra aty (apo diku tjetër)!
Sipas profesorëve Florim Isufi dhe Shpejtim Bulliqi me ‘demarkacionin’ e Komisionit Meha bëhet ndryshim i madh i kufirit sepse ai “Kah ana e Qafës së Çakorrit në distancë ajrore lëviz rreth 4.100 m në brendi të territorit të Kosovës, duke lënë jashtë territorit të Kosovës pellgun e Bjelluhës, Vaganicën dhe Shipovicën. Ndërsa kah ana e Kullës rreth 4.000 m në brendi të territorit të Kosovës duke lënë jashtë anët veriperëndimore të Zhlebit, të banet e Loqanit dhe një pjesë të të baneve të Gllogjanit.” Kemi të bëjmë me ndryshim kufiri prej 4 kilometrash në vijë ajrore. Nuk do të ketë dhe nuk mund të ketë korrigjim që matet me kilometra. Korrigjimi i mëpastajmë i kufirit do të mund të bëhet me dhjetëra metra e jo me kilometra. Sepse qysh në fillim këtu nuk e kemi problemin e demarkacionit të gabuar por të delimitimit të panevojshëm. Është ndryshuar kufiri, nuk është shenjuar ai.
Prandaj, është absurde të besohet që shteti i cili dorëzohet para gabimit të Komisionit Meha do të mund ta korrigjonte atë pak më vonë atë. Së dyti, nuk mund të korrigjohet delimitimi. Korrigjimi i ndryshimit të kufirit është po ashtu ndryshim kufiri e jo korrigjim (shenjimi). Së këndejmi, jo deklaratë presidentësh që premton korrigjim brenda marrëveshjes së gabuar, me plotë pasaktësi, lajthitje e mashtrime, por korrigjim marrëveshjeje është ajo që i nevojitet Kosovës. Sepse Komisioni shtetëror i Kosovës ka pasur të bëjë “shenjim të kufirit” (obeleženje), ndërkaq ai i Malit të Zi “përcaktim kufiri, kufizim” (“razgraničenje”). Kishim dy komisione me misione të ndryshme, me ç’rast komisioni ynë ka përfunduar në misionin e huaj. Murat Meha ka negociuar krejt gabim dhe fort keq. E ka marrë barrën e provës që me kopje të librave kadastralë dhe vetëm me to ta dëshmojë që toka jonë është e jona edhe për pjesë të territorit ku as Mali i Zi nuk ka libra kadastralë, qasje kjo që vjen ndesh edhe me konkludimin e Gjykatës së arbitrazhit ndërkombëtar.
Në kuadrin e doktrinës dhe praktikës apo zakonit ndërkombëtar janë dy metoda që kanë gjetur zbatimin më të gjerë në çështje të përcaktimit të kufijve shtetëror. Këto janë: Kriteri natyror dhe Kriteri sipas parimit uti possidetis juris. Me marrëveshjen e nënshkruar që po imponohet për ratifikim, shkilen të dy këto parime.
1) Në faqe 24 të librit “Kufiri në dëm të shqiptarëve” të Zejnullah Grudës thuhet: “Kur shtetet ndahen me bjeshkë, kufi konsiderohet vija që bën kurrizin (qafën) e bjeshkës, ose vija ujëndarëse. Kur kufiri shkon vargmaleve ose kodrave, vija e demarkacionit ndjek vijën ujëndarëse (kurrizin). Këta kufij i kanë qëndruar kohës më shumë; e edhe në raste kur lumenjtë kanë qenë afër, evropianët kanë zgjedhur zakonisht vargmalet, dhe këto ndarje kufitare u kanë qëndruar shekujve.“ Ndërkaq, në faqe 29 e 30: “Kur vargmalet e bëjnë kufirin midis dy shteteve, supozohet, në rast dyshimi, se kufirin e bën qafa më e lartë dhe ujëndarja”. Nëse duam paqe edhe për gjeneratat e ardhshme le ta përdorim modelin evropian. E këtë libër ju z.Haradinaj si deputet ua keni shpërndarë gjithë deputetëve të Kuvendit kurse tash e keni fshehur e degraduar Raportin Bulliqi në pikë neni përfundi delimitimit Meha.
2) Kriteri i dytë sipas parimit uti possidetis juris konsiston në përcaktimin e kufijve sipas ushtrimit të autoritetit administrativ, pra posedimit juridik mbi territorin. Ky është parimi i përgjithshëm në të drejtën ndërkombëtare publike i cili mbështetet në paprekshmërinë e kufijve në kuptim të administrimit të territorit. Komisioni Bulliqi ka evidentuar panumër shembuj që dëshmojnë se ne kishim kontrollin efektiv në ato 8.200 hektarë.
Komisioni Bulliqi ka konstatuar se ish-Komisioni ka bërë këto lëshime:
– ka zhvilluar biseda pa platformë, e cila do të miratohej nga Qeveria;
– është krijuar për demarkacionin dhe për mirëmbajtjen e kufirit shtetëror, ndërsa ka biseduar me Komisionin e Malit të Zi për përcaktimin e kufijve;
– i ka shpërfillur autorizimet zyrtare;
– e ka tejkaluar dhe e ka cenuar mandatin zyrtar;
– ka fshehur nga Kuvendi dhe nga opinioni se me Malin e Zi po zhvillohen negociata për përcaktimin e kufirit të ri;
– është punuar pa përkthyes të autorizuar për nevoja të palës sonë; dhe,
– faktori ndërkombëtar dhe opinioni publik janë vënë në lajthitje, gjoja se është lidhur marrëveshje për demarkacion të kufirit, e në esencë është lidhur marrëveshje për kufi të ri.
I nderuari kryeministër Haradinaj,
Le ta ndjekim bashkë një udhë tjetër e cila do t’i përmbante këta hapa:
1) Debat parlamentar për raportin e Komisionit Bulliqi, aq më tepër që marrëveshja e 26 gushtit 2015 pat shkelur Rezolutën e Kuvendit të 25 qershorit 2015;
2) Të nxjerrim një Deklaratë të Kuvendit të Kosovës për fqinjësi të mirë me Malin e Zi dhe me kërkesë për rishqyrtim të marrëveshjes;
3) Përmes kontakteve të drejtpërdrejta diplomatike t’i kumtoni mospajtueshmërinë Malit të Zi me metodologjinë e përcaktimit të kufirit dhe të filloni iniciativën e re për një proces të ri të demarkimit.
4) Hetim parlamentar për marrëveshjen, gjithë rrjedhën, rolin dhe përgjegjësinë e faktorëve të involvuar në këtë proces.
5) Konferencë ndërkombëtare lidhur me procesin e përkufizimit (delimitimit) dhe shënjimit (demarkacionit) të kufirit në Kosovë, regjion e më gjerë, si rast për shpalosjen e gjithë të vërtetës.
Tashmë i kemi dy zhvillime pozitive: pranimi implicit i gabimit nga Presidenti Thaçi dhe pranimi implicit nga Mali i Zi për bisedime të reja. Këto duhen mirëpërdorur për zhvillime të reja, jo për t’i vulosur ato të vjetrat.
Përfundimisht, le ta bëjmë njëherë korrigjimin me Komision të përbashkët – le të quhet edhe TPP (Trup i Përbashkët Punues) – pastaj ratifikimin. Ndërkohë, e plotësojmë kriterin për luftimin e korrupsionit e krimit. Në fund, të dy kriteret i plotësojnë përafërsisht në të njëjtën kohë dhe fitojmë liberalizimin e vizave.
Duke shpresuar në vëmendjen tuaj, pranoni përshëndetjet tona të sinqerta.
Me nderime,
Albin Kurti
Kryetar i Lëvizjes VETËVENDOSJE!
Deputet i Kuvendit të Republikës