Kryeministri Albin Kurti, është takuar me kancelarin e Austrisë, Alexander Schallenberg, me të cilin ka zhvilluar takim bilateral.
Ziç njofton Zyra e Kryeministrit, në rezidencën e Kancelarisë Federale të Austrisë, Kurti i ka folur homologut të tij për “ringjalljen dhe rritjen e pashembullt ekonomike që po e përjeton Kosova që nga paslufta”, shkruan Express
“Kryeministri Kurti e uroi kancelarin Schallenberg për detyrën dhe përgjegjësinë e re si Kancelar dhe theksoi gatishmërinë e tij dhe të Republikës së Kosovës për të vazhduar raportet tejet të mira me Austrinë. Ai foli për ringjalljen dhe rritjen e pashembullt ekonomike që po e përjeton Kosova që nga paslufta, e që këtë vit parashihet të jetë 9,9 për qind, dhe për angazhimin e qeverisë në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar. Kryeministri Kurti e njoftoi Kancelarin Schallenberg edhe për rritjen e shënuar në investimet e huaja direkte të cilat këtë vit janë 89 për qind më të mëdha sesa mesatarja e tyre gjatë dekadës së fundit dhe më të lartat që nga shpallja e pavarësisë”, thuhet në komunikatën e ZKM-së.
Schallenberg ka nënvizuar rëndësinë e investimeve të Austrisë, që renditet e pesta për nga investimet direkte në Kosovë. ZKM-ja tha se u diskutua për mundësitë e rritjes së investimeve austriake në Kosovë dhe u dakordua që në shërbim të kësaj gjatë vitit të ardhshëm të organizohet Samiti Ekonomik në Kosovë.
“Sa i përket çështjes së liberalizimit të vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës sot janë bërë 3 vjet, 4 muaj e 5 ditë qëkur Komisioni Evropian ka rekomanduar për herën e dytë liberalizmin e vizave. Kancelari austriak dha mbështetjen e tij të plotë në lidhje me liberalizimin e vizave dhe tha se Austria i qëndron pranë Kosovës dhe e mbështetë atë në procesin e integrimeve evropiane”, thuhet në komunikatë.
Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka qenë gjithashtu temë e takimit, ku është theksuar nevoja për arritjen e një marrëveshjeje gjithpërfshirëse.