Klubi i Prodhuesve të Kosovës ka organizuar Konventën e Prodhuesve të Kosovës. Ky edicion do të fokusohet në digjitalizimin e sektorit të prodhimit dhe në tërheqjen e investimeve të huaja direkte, raporton Ekonomia Online.
Kryeministri Albin Kurti tha se prodhuesit janë shtylla e shoqërisë dhe jo vetëm e ekonomisë, duek garantuar heqjen e barrierave.
“Keni bërë një punë të rëndësishme në promovimin e prodhuesve vendor. Prodhuesit tanë janë shtylla e shoqërisë dhe jo vetëm e ekonomisë. Nga unë si kryeministër ju do ta keni vëmendjen maksimale. Do t’i heqim barrierat të cilat e çlirojnë potencialin tonë dhe të sigurojmë një ambient të barabartë duke hequr monopolet dhe duke furnizuar energji elektrike me çmim të përballueshëm”.
Kurti më tutje theksoi se taksa 100% do të zëvendësohet me reciprocitet, por parimet e reciprocitetit do të jenë të bazuara në vendimet e Organizatës Botërore të Tregtisë (OBT).
“Së dyti do ta zëvendësojmë tarifën 100% me reciprocitet. Parimet e reciprocitetit do të jenë të bazuara në Organizatën Botërore të Tregtisë dhe në CEFTA. Ministrja Hajdari ka marr vendim për formimin e grupeve që do të vendosin se cilat janë ato masa dhe pa fol me juve nuk do të marr vendime. Nuk do të marr vendime për ekonominë pa u konsultua njëherë me juve. Ne do të angazhohemi me bashkëpunim tregtar me Shqipërinë”.
Ai tha se ka pasur pak investime të huaja për shkak të korrupsionit. Ai thotë se sistemi i drejtësisë ka qenë pasiv, raporton EO.
“Tash erdhi dita të heqim monopolet dhe të ofron qasje në financa qe ju të forcoheni. Mbështetje do të ketë për secilin sektor prodhues. Do të fillojnë përgatitjet për themelimin e fondit të sigurimeve bujqësore. Investimet e huaja ka pak sepse ka pas shumë korrupsion”.
“Nga studimet të cilat janë bërë mungon raportimi për korrupsionin. Sistemi i drejtësisë duhet të jetë efikas sepse ai është më shumë pasiv se sa i keq. Ne gjithashtu kemi një diasporë të fuqishme ajo ka vullnet dhe kapital ndërsa tash do të ketë edhe mundësinë”.
Bashkim Osman, kryetar i Klubit të prodhuesve të Kosovës tha se e përkrahin tregtinë e lirë.
“Prodhuesit e Kosovës janë shtresa më e rëndësishme dhe vitale e vendit tonë dhe për zhvillim e vendit tonë. Ekonomia në përgjithësi dhe sektori i prodhimit të jenë prioritet i qeverisë tonë. Klubi i Prodhuesve e përkrah tregtinë e lirë dhe besojmë që ky proces duhet të ndodhë dhe për me ndodhe kjo nuk duhet të pengohemi nga asnjëra palë”.
“Për ne si prodhues tregu i Shqipërisë dhe Maqedonisë është prioritet dhe kërkojmë nga qeveria e re që të na mbështet dhe sa më shumë të depërtojmë në këto tregje. Kosova viteve të fundit çalon sa i përket investimeve të huaja. Kosova duhet të ketë kushte edhe më të mira dhe që të tërheq investitorë të huaj. Ne presim qe sa më shpejt të miratohet ligji për tregtinë e brendshme”, tha Osmani.
Astrit Panxha, drejtor ekzekutiv i Klubit të Prodhuesve të Kosovës, tha se problem është kualifikimi i punëtorëve.
“Edukimi profesional do të jetë prioritet. Sot është problem kualifikimi i punëtorëve. Anëtarët e klubit janë përfaqësues së ekonomisë sonë dhe kërkojnë tregje të reja. Ne kemi kërkuar që të vendosen flamujt afër ushqimit dhe kjo ka qenë që konsumatorët të informohen me origjinën e produktit dhe kështu qe ne jemi shumë të interesuar që të vazhdojmë këtë fushatë”.
“Ne kemi qenë që të kemi tregti të lirë, por të barabartë. Ne besojmë që partneriteti jonë me Qeverinë duhet të bazohet në dy shtylla dhe e kemi obligative të funksionojmë dhe t’i respektojnë ligjet e Kosovës”, tha ai.