Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mbajti një fjalim në panelin e organizuar nga BERZH për investime në Ballkanin Perëndimor që po mbahet në Londër.
Kurti përmes një postimi në rrjetin social Facebook ka shkruar se drejtësia dhe Integrimi Evropian e anëtarësimi në NATO janë prioritetet e qeverisë së Kosovës.
Në këtë takim po marrin pjesë liderët e këtij rajoni, ndërkohë që Kurti në këtë takim ishte ulur afër kryeministres së Serbisë, Ana Brnabiq.
Postimi i plotë:
Sot në Samitin e Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZh) në Londër pata rastin të takohem me udhëheqësit e saj dhe të shteteve të Ballkanit Perëndimor. Pikërisht sot bëhen tri javë nga votimi në Kuvend i qeverisë sonë, dhe gëzohem që në këtë ditë pata rastin të flas për rëndësinë e investimeve për ekonominë, ndërmarrësinë e të rinjëve tanë sidomos në teknologjinë informative, infrastrukturën që ndërlidh e mundëson zhvillim, raportet me Serbinë dhe parimin e reciprocitetit etj.
Punësimi e drejtësia në njërën anë, dhe Integrimi Evropian e anëtarësimi në NATO në anën tjetër, janë prioritetet tona si qeveri e re e Kosovës. Ne do t’i forcojmë qytetarët tanë ekonomikisht dhe do e përfaqësojmë vendin tonë sa më mirë politikisht.
Tashmë me Republikën
e Shqipërisë kemi 77 marrëveshjeve të arritura – do t’i shtojmë energji e
dinamikë të re implementimit të tyre. Si Qeveri e Kosovës do të bashkëpunojmë
edhe me qeverinë e Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut në projektet e
interesit të përbashkët duke synuar edhe mbledhje të përbashkëta të qeverive me
ta.