Kurti: Jam optimist se brenda pak muajsh mund të arrijmë marrëveshje me Serbinë, Putini dëshiron konflikt në Kosovë

Prishtinë | 18 Jan 2023 | 09:17 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti thotë se “duhet të arrijmë një normalizim të marrëdhënieve” me Serbinë. Në një intervistë për gazetën zvicerane, Blick, Kurti u shpreh optimist se ajo mund të bëhet e mundur brenda pak muajsh.

“Unë jam optimist se një marrëveshje mund të arrihet brenda pak muajsh nëse ekziston vullneti për të arritur një marrëveshje – dhe mbështetja e Perëndimit demokratik, pra BE-së, NATO-s, SHBA-së dhe Britanisë së Madhe. Unë kam shprehur vullnetin tim për ta bërë këtë. Por për një marrëveshje duhen dy palë”, tha Kurti.

Shefi i qeverisë kosovare thotë se presidenti i Rusisë, Vladimir Putin dëshiron ta nxisë një konflikt në Kosovë.

“Për të pasur paqe afatgjatë, siguri dhe stabilitet rajonal, Serbia duhet të distancohet dy herë: nga e kaluara e Millosheviqit dhe tani nga Putini. Sepse Serbia po i afrohet gjithnjë e më shumë Rusisë. Putin dëshiron të nxisë konfliktin me Kosovën”, tha ai.

I pyetur nëse ka frikë nga Putini, Kurti mohoi, duke përsëritur se ai është vigjilent.

“Unë jam i kujdesshëm, por nuk kam frikë kurrë. Unë jam vigjilent. Putini është i fiksuar pas vendit tonë. Ai ishte i kënaqur për mungesën e suksesit të ndërhyrjeve perëndimore në Irak dhe Afganistan. Atë e zemëron dhe e nervozon fakti që kanë pasur sukses në Kosovë”, tha Kurti.

Të ngjashme