Kryeministri Albin Kurti ka marrë sot pjesë në varrimin e 18-vjecares që është vraë në Ferizaj, raporton Ekonomia Online.
Kurti pasi vendosi lule te varri i të ndjerës ka ngushëlluar familjarët e të pranishmit tjerë.
“Jeta e një vajze të re 18 vjeçare është këputur nga një vrasje mizore. Para një orë e gjysmë i dyshuari për vrasjen që e tronditi mbarë Kosovën është arrestuar dhe tash duhet të ketë gjykim të drejtë dhe dënim të merituar. Kjo tregon se sa shumë punë kemi përpara që ta drejtojmë sistemin e drejtësisë. Në mënyrë që të veprojë pa vonesa të gjykojë drejtë dhe të ndëshkojë kriminelët dhe keqbërësit në përgjithësi ”, thotë ai.
Ai ka folur edhe për arrestimin e Dardan Krivaqës.
“Bëhet fjalë për një të dyshuar që ka precedent penal edhe në vitet e mëhershme në veprat e shumta që kanë qenë shkelje të ndryshme të ligjit. Kjo tregon sa shumë punë kemi përpara që ta drejtojmë sistemin e drejtësisë, në mënyrë që të gjykojë drejt, e të gjykojë kriminelët e keqbërësit.
Qeveria jonë prej fillimit ka ndërmarrë iniciativën për infrastukturë të re ligjore, në mënyrë që kurrë më të mos na përsëriten këto raste, kemi bërë ligjin e ri për mbrojtje të viktimave dhe për mbrojtjen nga dhuna në familje”, thotë Kurti.
“Të pikëlluar e të mërzitur nuk mund ta kthejmë kohën mbrapsht e ta zgjojmë Marigonën, duhet t’i mbajmë kujtimet më të mira, të angazhohem të gjithë bashkë që raste si vrasja mizore e Marigona Osmanit të mos e godasin më kurrë popullin tonë. Ngushëllime të gjithë popullit tonë. U preht e qetë Marigona, e për tu prerë me të vërtetë e qetë duhet të sjellim drejtësi për të e gjitha viktimat tjera”, tha kryeministri.