Kurti: Kosova e ka vendin në Këshillin e Evropës, i kemi plotësuar edhe kushtet ligjore

Prishtinë | 21 Kor 2023 | 10:15 | Nga Hasan Hoti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se Republika e Kosovës e ka vendin në Këshillin e Evropës pasi është ndërtuar në vlerat evropiane dhe në respektim të pakicave, raporton Ekonomia Online.

Në takimin e parë të Grupit Koordinues për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në Këshillin e Evropës, Kurti u shpreh anëtarësimin mundëson qasjen në gjykatën ndërkombëtare për të drejtat njeriut dhe kjo forcon edhe më shumë mbrojtjen e qytetarëve tanë pa dallim.

Madje shprehte i bindur se Kosova i ka plotësuar edhe kërkesat ligjore për t’u bërë anëtare e Këshillit të Evropës.

“Si organizata më e vjetër Këshilli i Evropës sikurse shteti ynë mishërojnë vlerat në të drejtat e njeriut. Republika e Kosovës është ndërtuar në vlerat e Këshillit të Evropës si dhe të drejtat e komuniteteve pakicë natyrshëm e ka vendin në këtë organizatë”.

“Kjo mundëson qasjen në gjykatën kjo forcon edhe më shumë mbrojtjen e qytetarëve tanë pa dallim. Republika e Kosovës ka plotësuar edhe kërkesat ligjore për t’u bërë anëtare e Këshillit të Evropës”, tha Kurti.

Zëvendëskryeministrja, Donika Gërvalla, tha se kjo çështje është marrë në mënyrë intensive e me seriozitet e profesionalizëm.

Ai ka kërkuar që të gjitha institucionet të angazhohen në mënyrë që anëtarësimi të ndodh sa më parë, raporton EO.

“Falë angazhimit të zëvendësministrit Kreshnik Ahmeti jam shumë e bindur se proceset do të kishin zgjatur më shumë. Është marrë në mënyrë intenzive me anëtarësim në Këshill të Evropës duke dëshmuar një seriozitet dhe profesionalizëm të jashtëzakonshëm”.

“Tani që ka kaluar faza e parë, gjithçka do të varët nga bashkërendimi i këtij grupi, prandaj uroj që në institucionet që ju punoni të luftoni në emër të Kosovës që proceset që varën nga institucionet tuaja të ecin sa më shpejtë sepse nga bashkërendimi juaj do të varet edhe ritmi me të cilin ne do të anëtarësohemi në Këshillin e Evropës sa më shpejt”, tha Gërvalla.

Fjala e plotë e kryeministrit:

E nderuar zëvendëskryeministre dhe ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, znj. Donika Gërvalla Schwarz,

I nderuari z. Kreshnik Ahmeti, zëvendësministër në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës,

I nderuari z. Blerim Gashani, zëvendësministër në Ministrinë e Punëve të Brendshme,

I nderuari z. Blerim Sallahu, zëvendësministër në Ministrinë e Drejtësisë,

I nderuari z. Mevlud Sinani, zëvendësministër në Ministrinë për Komunitete dhe Kthim,

Të nderuar zyrtarë të lartë shtetërorë, përfaqësues të institucioneve tona,

Zonja dhe zotërinj,

Të nderuar anëtarë të trupit koordinues për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në Këshillin e Evropës,

Sot hapim së bashku takimin e parë të Grupit Koordinues për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në Këshillin e Evropës. Si organizata më e vjetër panevropiane, Këshilli i Evropës, ashtu sikurse edhe shteti ynë, mishërojnë vlerat dhe standardet më të larta në mbrojtjen e të drejtave të njeriut, demokracisë dhe sundimit të ligjit. 

Republika e Kosovës, e ndërtuar mbi vlerat e Këshillit të Evropës dhe me Kushtetutë e cila përfshinë instrumentet më të rëndësishme për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, si dhe të drejtave të komuniteteve pakicë, natyrshëm e ka vendin në këtë organizatë.

Anëtarësimi në Këshillin e Evropës mundëson qasjen në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe mekanizmat tjerë mbrojtës të Këshillit të Evropës. Kjo forcon edhe më shumë mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve tonë pa dallim etnie.


Qeverisja e mirë e progresit demokratik e vlerësuar nga raporte të shumta ndërkombëtare, sidomos në sundimin e ligjit, i ka hap rrugë procesit të anëtarësimit tonë në këtë organizatë. Pra, Republika e Kosovës ka plotësuar edhe kërkesat ligjore edhe standardet demokratike, për tu bërë anëtare e Këshillit të Evropës.

Pas një pune intensive, me 24 prill të këtij viti, pra 2023, Komiteti i Ministrave i Këshillit të Evropës vendosi në favor të aplikimit të Republikës së Kosovës, duke përmbyllur kështu me sukses fazën e parë në proces të anëtarësimit.

Tani që procesi ka kaluar te Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës, e cila do të japë mendimin e saj mbi aplikimin e Kosovës, lirisht mund të themi se fillon etapa substanciale e procesit, e cila do të shoqërohet me vizita fakt-mbledhëse të raportuesve dhe me përgatitje të raporteve.

Në këtë kontekst, Grupi Koordinues do të ketë një rol tejet të rëndësishëm në rritjen e bashkëpunimit dhe koordinimit të brendshëm, si dhe në ofrimin një pasqyre sa më të saktë dhe koherente të situatës në Kosovë lidhur me të drejtat e njeriut, sundimin e ligjit dhe demokracinë.

Qeveria e Republikës së Kosovës do të bashkëpunojë ngushtë me Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës përgjatë tërë procesit të vlerësimit dhe, kam besim se ky Grup Koordinues ndër-institucional, nën udhëheqjen e zëvendësministrit Ahmeti, do të punojë me përkushtim në funksion të mbarëvajtjes së vizitave fakt-mbledhëse, si dhe në adresimin e të gjeturave dhe rekomandimeve nga raportuesit.

 Ju faleminderit!

Të ngjashme