Kurti: Kosovës i duhet edhe vetingu i policisë dhe inteligjencës

| 24 Tet 2018 | 12:27 | Nga

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka kritikuar krerët e shtetit për qasjën ndaj rastit me djalin e shefit të AKI-së, Shpend Maxhuni.

“Emërimi i drejtorit të AKI-së dhe drejtorit të Policisë së Kosovës, janë direktiva të Presidentit të pranuara nga Kryeministri, i cili nuk dimë se çfarë mori si shpagim në pazar. Kur Kryeministri thotë t’ia lëmë këtë çështjen ‘Maxhuni’ organeve të rendit a sistemit të drejtësisë, ai po thotë “na e leni këtë punë neve”, thua se bëhet fjalë për çështje private dhe jo publike. Kapësit e shtetit e kanë ndarë popullsinë në familjarët e tyre të paprekshëm dhe qytetarët e tjerë të pambrojtur,” ka shkruar Kurti në Facebook, transmeton EkonomiaOnline.

Sipas tij, paanshmëria, objektiviteti dhe profesionalizmi i organeve shtetërore matet pikërisht në raste të këtilla.

“Siç ishte ai ‘Maxhuni’ i 12 tetorit (i publikuar vetëm një javë më pas), e jo në rastet e hajnave të pulave. Shpërputhjet midis deklaratave të policisë dhe prokurorisë në rastin ‘Maxhuni’ janë dëshmi e ndërhyrjeve nga lart,” shkruan më tutje Kurti.

Sipas tij, Kosova nuk ka nevojë vetëm për reformë të drejtësisë, por edhe për reformë të sigurisë.

“Pra, Kosovës i nevojitet jo vetëm reforma e vetingu i gjyqësorit dhe prokurorisë, por edhe ai i policisë dhe inteligjencës. Reformat në organet e rendit e të sigurisë nuk bëhen me rokada dostash që kryejnë favore private nga pozitat publike. Në polici ka njerëz të mirë e me integritet, profesionistë e patriotë, por ata mbi kokë i kanë të këqinjtë, kapësit e shtetit, pushtetin që i shërben vetvetes, familjarëve të tyre e miqve biznesmenë. E, me të tillët nuk ka as drejtësi e as siguri.”

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme