Ish-Kryeministri Kurti me mburrje tregonte dikur se kishte ndalur aksionin e Policisë kundër kazinove në fshatin kufitar, Karaçevë. Në një intervistë, Kurti kishte treguar se Agim Veliu, si Ministër i Brendshëm dhe Avdullah Hoti si Zëvendëskryeministër kishin kërkuar miratimin e Kryeministrit për aksionin, shkruan Express.
Por, Albin Kurt kishte thënë, para katër muajsh, në një intervistë për “Jeta në Kosovë”, se kishte shtuar disa pyetje Veliut dhe Hotit dhe i kishte pyetur se pse bash ndërhyrja në Karaçevë, në një zonë që nuk dihet saktë se cilit shteti takon.
“Ku është ky aksion”, kishte drejtuar Kurti pyetjen në drejtim të Veliut dhe Hotiti.
Dhe, kishte marrë përgjigjen nga vartësit e tij.
“Njëherë në Zubin Potok, herën tjetër në Karaçevë”, ka treguar Kurti bisedën që kishte pasur me Veliun e Hotin.
Pas kësaj, Kurti thotë se ka kërkuar një dokument të shkruar në formë analize për cilindo operacion policor që do të ndërmerrej pasi frikësohej se do të kishte pasoja sikur më 2011 kur njësitë speciale të Policisë shkuan në Veri.
“Të ketë një si lloj teksti të analizës pse do të kenë suksese këto operacione policore”, ka thënë Kurti.
Ndërkohë, aksioni i Policisë së Kosovës, i ndërmarrë një natë më parë në Karaçevë, ka vënë në pranga më shumë se 30 persona.
Aksionin e Policisë e kanë përcjellë nga afër edhe Drejtori i Policisë, Rashit Qalaj dhe Kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati.
E se një aksion i tillë do të ndodhte e kishte paralajmëruar në seancën e djeshme vetë Ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu.
Veliu ishte thirrur dje në interpelancë në lidhje me hyrjen dhe patrullimin e pjesëtarëve të uniformuar të Republikës së Serbisë në territorin e Republikës së Kosovës, përkatësisht në fshatin Karaçevë të Komunës së Kamenicës.
Gjatë fjalës së tij, ai kishte treguar se si në kohën sa në krye të Qeverisë ishte Albin Kurti, kishte kërkuar që të kryenin një operacion për mbylljen e kazinove në atë pjesë, por siç thotë, Kurti nuk i kishte dhënë leje.
“Është fakt i vërtetë që gjatë Qeverisë Kurti janë ndërtuar dhe kanë funksionuar pa pengesë të gjitha kazinotë. Në muajin shkurt nga shefi yt kam kërkuar që të bëhet operacion që të ndalojmë punën e kazinove, por nuk ka leju. Shko pyete”, ka thënë Veliu
Ai u kthehet deputetëve me fjalët se shumë shpejt do ta kryejë këtë aksion dhe se do ta shohin.
“Në shkurt më pengoi Kurti, tash s’më ndalë askush. Atë punë do ta bëjë dhe ndoshta do ta dëgjoni shumë shpejtë, do ta bëjë”, tha dje Veliu.