Kryeministri Albin Kurti tha se rritja ekonomike këtë vit është dyfishuar, duke shtuar se ka pasur zvogëlim të shpenzimeve qeveritare, raporton Ekonomia Online.
Ai në një konferencë për medie pas mbledhjes së Qeverisë, sqaroi se buxheti ka 800 milionë euro bonus.
Madje sipas tij, janë rritur edhe investimet e huaja direkte për 53% krahasuar me vitin e kaluar.
“E arritur e theksuar në këtë vit është rritja ekonomike, praktikisht dy shifrore që ka bërë që të kemi një bonus prej 800 milionë euro në ekonominë tonë. Janë rritur të hyrat, janë zvogëluar shpenzimet e qeverisë, janë rritur të hyrat buxhetori dhe janë zvogëluar shpenzimet qeveritare. Të hyrat buxhetore janë rritur për 30%, eksportet krahasuar me vitin 2020 për 90% e madje 90% krahasuar me vitin 2019”.
“Investimet e huaja direkte janë rritur krahasuar me vitin e kaluar për 53%, e 80% krahasuar me vitin 2019 sa i përket muajve të parë të vitit, ose tre çerekëve të parë siç bëhen matjet. Është interesante si në tremujorin e dytë kishim rritje ekonomike prej 16.3% ndërsa në tre mujorin e tretë 14.3%”.
Kurti tha se procesi i dialogut me Serbinë në Bruksel nuk ka qenë i padobishëm.
Ndërsa për arritjen e marrëveshjes përfundimtare, Kurti tha se duhet të ndryshojë Serbia.
“Është e vërtetë që janë zhvilluar vetëm dy takime në vitin 2021 midis meje dhe presidentit të Serbisë, por nuk ka qenë i padobishëm procesi i bisedimeve në Bruksel. Atje kemi arritur një marrëveshje sa i përket reciprocitetit të targave”, tha Kurti.
“Tash për marrëveshjen ligjërisht të obligueshme, duhet të ndryshojë pakrahasimisht më shumë Serbia, ndërkaq se kur zhvillohen takimet në Bruksel megjithatë nuk varet prej meje, duke qenë se unë kam shprehur gatishmërinë time. Besoj që vitin e ardhshëm do të ketë edhe ftesa përkatëse për dialog, i cili i kontribuon paqes së qëndrueshme, stabilitetit afatgjatë, sigurisë rajonale, dhe ku përfitues janë qytetarët, e jo politikanët”.
Kurti ka ironizuar me deklaratat e opozitës për zgjedhje të reja parlamentare që kanë thënë se do të mbahen në pranverë të vitit 2022.
“Kur kanë menduar për zgjedhje në prill, duhet ta pyesni mos e ka pas fjalën për 1 prill. Unë ua uroj Vitin e Ri edhe z.Abdixhiku dhe opozitës në përgjithësi, ju dëshiroj gjitha të mirat në vitin 2022. Unë me të vërtetë jam i zënë dhe nganjëherë më duhet të mungoj në disa aktivitete të tjera, por duket z.Abdixhiku është më i zënë se unë me subjektin e tij politik, dhe prandaj mungon shpesh”.
Fjala e plotë e kryeministrit Kurti në konferencë:
Të nderuar gazetarë,
Ju faleminderit, që iu keni përgjigjur pozitivisht thirrjes sonë për këtë konferencë për media në fundvit, pas mbledhjes së fundit të Qeverisë së Republikës së Kosovës, e 52-ta me radhë në Qeverinë tonë, ku i kemi marrë 27 vendime gjithsej, ndër të cilat kemi miratuar edhe shtatë projektligje të tjera, të reja, shumë të rëndësishme.
Kemi miratuar Projektligjin për Qeverinë e Republikës së Kosovës, sipas të cilit, do të përcaktohet përbërja, mandatet, kompetencat e Qeverisë dhe anëtarëve të saj; Projektligjin për plotësim ndryshimin për Financimin e Subjekteve Politike, nëpërmjet të cilit, do ta rritim transparencën dhe llogaridhënien e subjekteve politike; pastaj Projektligjin për Byronë Shtetërore për verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme. Pra, në qeverisjen tonë, ne filluam me miratimin e Koncept Dokumentit për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme dhe këtë vit po e përfundojmë me Projektligjin për Byronë Shtetërore, e cila do të jetë në funksion të luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, nëpërmjet konfiskimit të pasurisë së pajustifikueshme, si dhe Projektligjin për Ushqim, me të cilin synohet mbrojtja e shëndetit të njerëzve dhe interesave të konsumatorëve.
E kemi aprovuar propozimin preliminar të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, për Shpronësimin e Pronave të Paluajtshme, të cilat preken nga realizimi i projektit për zgjerimin e mihjes sipërfaqësore për eksploatim të thëngjillit për prodhim të energjisë elektrike.
Gjithashtu, dhamë mbështetjen tonë ndaj kërkesës së Ministrisë së Punëve të Brendshme, për pagesat e orëve shtesë të punës gjatë këtij viti, për zjarrfikësit e njësive nëpër komunat e vendit, me vlerë prej 513 mijë e 872 euro.
E kemi emëruar Sekretarin e ri, të Përgjithshëm të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, z.Blerim Hasanin dhe Sekretaren e Përgjithshme të Ministrisë së Punëve të Brendshme, znj.Fahrije Tërrnava-Sheremeti.
Kemi vendosur ligjshmërinë, duke shfuqizuar vendimin e vitit 2020, me të cilin në mënyrë të jashtëligjshme vazhdohej mandati i Drejtorit të Përgjithshëm të Shërbimit Gjeologjik të Kosovës.
Kemi miratuar gjashtë koncept-dokumente, tri të propozuara nga Ministria e Punëve të Brendshme, një nga Ministria e Ekonomisë, një nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural dhe një nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.
Kemi miratuar koncept-dokumentin për gjendjen civile, për shtetësinë, për të huajt, për burimet e ripërtëritshme të energjisë, për tokën bujqësore për fushën e shpronësimit.
Ndërsa, me qëllim të mirëfunksionimit të tregut, mbrojtjes së industrisë vendore dhe konsumatorëve, për shkak të evidentimit nga terreni dhe numri i ankesave të konsumatorëve, sidomos në lidhje me cilësinë dhe çmimet e produkteve në treg, sot kemi themeluar Task-Forcën për Mbrojtjen e Tregut të Republikës së Kosovës.
Tek të ndryshme, i kemi pasur dy pika, një Ministria e Drejtësisë në lidhje me Udhëzimin Administrativ Aktual për Tarifat e Përkohshme, i cili do të mbetet në fuqi deri në hartimin e udhëzimit të ri nga Ministria dhe tjetrin, nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve për Ndarje Buxhetore në vlerë prej 3 milionë euro për zbatimin e masës 4.6 te pakos së Ringjalljes Ekonomike, mbështetje për Ndërmarrjet Publike, përkatësisht për “Trepçën”.
Në këtë vit, mund të themi, që e kemi përmirësuar edhe më tutje procesin planifikues qeveritar dhe tanimë veç e kemi dorëzuar draftet e para të planeve strategjike dhe operacionale të azhurnuara për 2022-tën.
Si Qeveri, Kryeministri dhe 15 ministri, jemi duke punuar për t’i quar përpara gjatë këtij mandati qeverisës 88 qëllime strategjike, 264 qëllime nënstrategjike, 1030 objektiva operacionale, 4111 tregues kryesor të proceseve dhe 3314 indikatorë kyç të performancës.
Jemi duke e transformuar mënyrën e planifikimit nga e pamatura në përgjithësi në këto 20 vitet e fundit, në planifikim të bazuar në performancë.
Këto procese planifikuese, janë duke u fascilituar nga Sekretariati Koordinues i Qeverisë, në bashkëpunim me Shefin e Stafit të Kryeministrit dhe shefat e kabineteve dhe sekretariateve të ministrive.
Përfaqësuesit politikë po bashkëpunojnë shkëlqyeshëm si kurrë më parë me stafin civil dhe për këtë u jam falënderues.
Pra, në këtë vit, i kishim gjithsej 52 mbledhje, 485 vendime, 119 projektligje, 60 emërime, 16 koncept dokumente, 10 udhëzime administrative, 7 projekt rregullore dhe 5 nisma legjislative.
Jemi shumë të lumtur që po e përmbyllim vitin me një menaxhim të shkëlqyeshëm të pandemisë dhe projekti kryesor me siguri që ishte ai i vaksinimit ku kemi mbërri që t’i administrojmë 1.65 milionë doza të vaksinave pa e marrë asnjëherë në konsideratë mundësinë e vaksinave nga lindja dhe verilindja pra vetëm me Pfizer dhe Astrazeneca të verifikuara nga FDA dhe EMA, ndërkaq sot që po flasim është kaluar për popullsinë mbi 18 vjeçare tash e disa javë vaksinime me mbi 2/3 me një dozë ndërkaq me mbi 60 për qind me të dy dozat. Në fakt këto po mbërrihen edhe për popullsinë mbi 16 vjeçare që ka qenë zotim i yni në shkurtin e këtij viti që ngadalë po e lëmë pas.
Gjithashtu e arritur e theksuar në këtë vit është rritja ekonomike, praktikisht dyshifrore e cila ka bërë që të kemi një bonus prej 800 milionë euro në ekonominë tonë. Janë rritur të hyrat, janë zvogëluar shpenzimet e qeverisë. Janë rritur të hyrat buxhetore, janë zvogëluar shpenzimet qeveritare. Të hyrat buxhetore janë rritur përafërsisht për 30 për qind, eksportet krahasuar me vitin 2020 për 60 për qind e mandej për 90 për qind krahasuar me vitin 2019. Investimet e huaja direkte janë rritur krahasuar me vitin e kaluar 53 për qind krahasuar e 80 për qind krahasuar me viti 2019 sa i përket muajve të parë të vitit apo tre çerekeve të parë siç bëhen matjet.
Është interesante që në tre mujorin e dytë kishim rritje ekonomike prej 16.3 për qind ndërkaq në tre mujorin e tretë 14.5 për qind. Unë në veçanti iu falënderohem doganave të Kosovës dhe Administratës Tatimore të Kosovës. Doganat e Kosovës kanë grumbulluar 1.32 miliardë euro që është për 1/3 ma shumë se vitin e 2020, që është për 17.5 për qind më shumë sesa në vitin 2019 dhe për 21 për qind më shumë se në vitin 2018.
I kemi formalizuar gjithsejtë 10 mijë vende të reja të punës dhe Administrata Tatimore e Kosovës ka inkasuar mbi 588 milionë euro meqë rast kjo është për më shumë se ¼ krahasuar me vitin e kaluar, më shumë se sa 1/8 krahasuar me vitin 2019 dhe 28 për qind krahasuar me vitin 2018.
Në aspektin e luftimit të krimit e korrupsionit janë realizuar 509 operacione, 117 plane operative dhe bastisje 893 sosh me 799 kallëzime penale natyrisht që ky numër rritet nga dita në ditë dhe një e arritur që natyrisht është e veçantë është ajo për ushtrinë e Kosovës. Prej zbarkimit të përbashkët në Kuvajt me ushtrinë amerikane, te Defender Europe 21 ku nga 27 shtete pjesëmarrëse ne ishim madje në mesin e 16 shteteve nikoqire me 330 ushtarë dhe natyrisht që vitin e ardhshëm do ta kemi një buxhet për herë të parë tre shifror milionësh pra mbi 100 milionë euro.
Unë ju falënderoj edhe të gjithë juve për bashkëpunimin e deritanishëm për raportimet që keni bërë e për temat e çështjet që keni ngritur e i keni trajtuar dhe ua uroj vitin e ri 2022 me të gjitha të mirat për ju e më të dashurit e juaj.
LEXONI EDHE: