Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kujtuar 23 vjetorin e Betejës së Koshares.
Ai tha se në këtë betejë, luftëtarë nga të gjitha zonat operative dhe nga të gjitha trevat shqiptare, të ndihmuar nga ushtria e Shqipërisë e forcat e NATO-s, luftuan kundër trupave të armatës jugosllave.
Kreu i qeverissh ka kujtuar 9 prillin e 1999-ës, kur sipas tij, në ora 3 e 15 minuta të mëngjesit, ushtarët e UÇK-së sulmuan forcat serbe fillimisht ë karaullën “7 korriku”, për t’u pasuar me sulme në drejtim të Rrases së Koshares e Majës Gllava.
“Vetëm 12 orë më pas, të tre këto pika ishin në duart e ushtarëve të UÇK-së. Ata po zbatonin një vendim të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, që ishte përkthyer në plan operacional veprimi nga Brigada 138 e komanduar nga Agim Ramadani”.
“Ky operacion i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, shënoi thyerjen e kufirit Jugosllavi – Shqipëri, atij kufiri që i mbajti shqiptarët të ndarë që nga viti 1913, kur ai u vendos dhunshëm nga Serbia. Për luftën e shqiptarëve kundër Serbisë, Beteja e Koshares dhe veçanërisht thyerja e kufirit, ishin një kalim liminal, sepse i hapi rrugë depërtimit më të lehtë të vullnetarëve të UÇK-së nga Shqipëria drejt Kosovës dhe krijoi hapësirë të lirë për kanale furnizimi me armë”, shkroi Kurti, transmeton Klankosova.tv.
Tutje, Kurti tha se në këtë betejë që zgjati më shumë se dy muaj, ranë dëshmorë 114 ushtarë të UÇK-së, ndërsa ata u shkaktuan ushtrisë së Serbisë 108 ushtarë të vrarë, mes të cilëve sipas tij, edhe mercenarë rusë.
“Në historinë e luftërave të ushtrive serbe me shqiptarët, Kosharja është Luma e Dytë (1912), sepse aty, tytat e armëve të ushtarëve të UÇK-së u kthyen në zjarre ferri për ushtarët serbë. Një betejë e tillë integrale dëshmoi se pjesëmarrja e shqiptarëve në çlirimin e tyre kishte mbërritur fazën më të lartë të organizimit”.
“Historia e çlirimit, pavarësimit dhe shtetndërtimit të Kosovës, shënjohet veçanërisht nga betejat e UÇK-së, nga përpjekjet për të ndjekur idealet e dëshmorëve dhe kultivimi i mëtutjeshëm politik i tyre. Në historinë moderne të Kosovës, Beteja e Koshares paraqet një nga ato kalimet pas të cilave e shkuara thjesht nuk mund të kthehet më pas dhe kur e ardhmja e hapur para bëhet destinacion njëdrejtimësh”, shkroi Kurti.
Për të parin e qeverisë, e sotmja është e ardhmja e Betejës së Koshares dhe e gjithë luftës së UÇK-së, teksa shtoi se Kosova është në afrim e bashkërendim progresiv me Shqipërinë e perspektivë drejt BE-së dhe me aleanca me vendet e NATO-s.
“Andaj Beteja e Koshares nuk rri si çast i përfunduar në histori. Ajo merr pjesë në kohët tona aktuale, në të gjithë realizimet shtetërorë që burojnë nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, ka shkruar Kurti.