Fakulteti i Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike (FIEK) i Universitetit të Prishtinës ka mbajtur seminari e dytë shkencor, ku ka marrë pjesë edhe kryeministri Albin Kurti, raporton Ekonomia Online.
Kurti me këtë rast ka kujtuar periudhën e shkollës së mesme kur në këtë objekt si gjimnazist ushtronte matematikë.
Përderisa tha se në kohën e studimeve nuk ka pasur mundësi që t’i shfrytëzojnë hapësirat e këtij objekti ngase ishin dëbuar nga regjimi i atëhershëm serb.
Më tej ai sqaroi se ishte kthyer aty më pas për të përfunduar Fakultetin e Elektroteknikës, por që tha se nuk po vëren shumë ndryshime në infrastrukturë, për të cilat tha se shumë shpejt duhet të intervenohet.
“Sot më kaploi nostalgjia teksa ngjitesha shkallëve në të cilën vinim për t’i parë rezultatet e provimeve. Në Fakultetin Teknik kam ardhur shumë më herët si gjimnazist të ushtrohem në matematikë. Kur u bëra student nuk kisha mundësi të vija, sepse në vitin 1991 u patëm dëbuar”.
“Këtu jam rikthyer për të përfunduar Fakultetin e Elektroteknikës. Prandaj jam nostalgjik për shkak se e pashë se enterieri nuk kishe ndryshuar shumë. Hapësira ishte e dikurshme dhe na thërret për përgjegjësi sepse duhet investim më shumë”.
Tutje ai tha se arsimi cilësor është çelësi i zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik, raporton EO.
“Digjitalizimi është komponent kyç në këtë reformë. Situata me pandeminë theksoi nevojën e digjitalizimit, krijimin në platformë digjitale, përgatitjen mësimore cilësore për klasë, furnizimin e institucioneve me rrjetet e internetit dhe krijimin e mekanizmave institucional. Hulumtimi dhe inovacioni janë të rëndësishëm”.
“Është nënshkruar marrëveshja me BE për punë kërkimore prej 95.5 miliardë euro. Teksa hedhim bazat strategjike një nga orientimet është të kemi qasje të unifikuar ndaj digjitalizimit. Ligji për Identifikimin elektronik është miratuar në Kuvend. Qeveria do të bëjë punën e saj në promovimin e digjitalizimit. Ky seminar është mundësi e shkëlqyer për të punuar së bashku edhe me diasporën si rruga më e mirë drejt zhvillimit”.
Rektori i UP-së, Naser Sahiti, tha se numri i punimeve shkencore nga Kosova në vazhdimësi është duke u rritur, duke shtuar se kërkohet angazhim i shtuar në këtë drejtim, raporton EO.
“Në kuadër të seminarit të organizuar për herë të dytë, të flasim për punën që është bërë në UP. Numri i hulumtuesve nga Kosova në vende tjera ka qenë tejet i vogël, por tashmë është rritur shumë”.
“Puna në UP kërkon angazhim të shtuar. Rrethanat ekonomike kufizojnë mundësitë në universitete tona të fitojnë rezultate”.
Kadri Sylejmani, prodekan për Kërkime Shkencore dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar, Sot po hapë punimet e seminarit të Inxhinierisë, tha se 17 punime do të prezantohen nga doktorë të shkencave.
“Përpos prezantimeve për tema shkencore me qëllim të rritjes së bashkëpunimit në të ardhmen, nga ky seminar do të ketë punime të recensionit. 17 punime do të prezantohen nga doktorë të shkencave. Këtë vit po e mbajmë për herë të dytë seminarin shkencor”.
Isak Shabani, dekan në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike, tha se për 60 vjet janë përkushtuar të integrohen në arsimin e lartë.
“Fakulteti i Inxhinierisë është pjesë integrale e Universitetit Hasan Prishtina. Që në krijimin e tij është konceptuar si universitet i lidershipit. UP-ja deri më tani ka kaluar tri etapa të rëndësishme e krijimit. Fakulteti i Inxhinierisë për 60 vjet është përkushtuar të integrohet në arsimin e lartë”.
Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:
I nderuari rektor i Universitetit të Prishtinës, Prof. Naser Sahiti,
I nderuari dekan i fakultetit të inxhinierisë elektrike dhe kompjuterike Prof. Isak Shabani,
E nderuar Ministre e Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe inovacionit, znj. Arbërie Nagavci,
I nderuar Zëvendësministër i Ekonomisë, dyfish koleg i imi, Mentor Arifaj,
Të nderuar student, hulumtues e profesorë,
Të nderuar pjesëmarrës,
Është kënaqësi për mua t’i drejtohem seminarit të dytë shkencor të Fakultetit të Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike.
Arsimi cilësor është çelësi i zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik e shoqëror të Kosovës dhe rritja e cilësisë në arsim kërkon transformim në të gjitha nivelet e arsimit.
Digjitalizimi në arsim është një komponent kyç i reformës në këtë sektor. Ai synon të përmirësojë cilësinë e arsimit në të gjitha nivelet; dhe, të sigurojë që trendet globale të prezantohen me shpejtësi te fëmijët dhe rinia në Kosovë. Situata me pandeminë theksoi nevojën e digjitalizimit sa më të shpejtë të shkollave tona. Në kuadër të planit strategjik të arsimit kemi përcaktuar këto drejtime kryesore të digjitalizimit:
– Krijimin dhe funksionalizmin e një platforme digjitale gjithëpërfshirëse e të centralizuar.
– Përgatitjen dhe prodhimin e materialeve mësimore digjitale shumë-dimensionale e cilësore për nivele, klasë, lëndë e lloje të ndryshme.
– Furnizimin e institucioneve arsimore me rrjete të internetit cilësor dhe me pajisje teknologjike të nevojshme.
– Kultivimin e kompetencës digjitale te të gjitha palët e përfshira dhe te të gjitha institucionet arsimore, të të gjitha llojeve dhe niveleve, dhe
– Krijimin e mekanizmave institucionalë që mundësojnë realizimin e digjitalizimit dhe përdorimin e teknologjisë.
Hulumtimi dhe inovacioni janë po ashtu shtylla të rëndësishme për zhvillimin socio-ekonomik të vendit. Jemi duke ndërmarrë veprime në disa drejtime për të përmirësuar mjedisin për kërkim dhe inovacion:
– Është nënshkruar marrëveshja me Bashkimin Evropian për pjesëmarrjen e Kosovës në Programin “Horizon Europe”. Me këtë, Kosova fiton statusin e asociuar në program me të drejta të plota. Ky është programi kryesor i Bashkimit Evropian për financimin e punës kërkimore dhe të inovacionit me buxhet të përgjithshëm prej 95.5 miliard euro. Programi bën të mundur bashkëpunimin ndërkombëtar në fushën e kërkimit dhe inovacionit, duke mbështetur zbatimin e politikave të Bashkimit Evropian dhe duke adresuar sfidat globale të njerëzimit përmes kërkimit dhe inovacionit.
– Jemi të përkushtuar që duke u bazuar në marrëveshjen qeveritare me GIZ-in gjerman të angazhohemi për Parkun për Inovacion dhe Trajnime në Prizren. Njësoj edhe të Qendrës për Ekselencë Digjitale në kuadër të saj, që të krijojmë edhe një “hub” (nyje) për zhvillimin e ndërmarrësisë dhe inovacionit në vendin tonë.
– Është finalizuar qendra e të dhënave e KREN (Kosova Research and Education Network) dhe lidhja e saj me GEANT – rrjetin pan-evropian për kërkim dhe arsim. Lidhja me GEANT e institucioneve të larta arsimore, sjell qasje në punime shkencore e kërkimore ndërkombëtare.
– Me ndihmën e projektit HERAS+, është duke u zhvilluar sistemi i informacionit për shkencë dhe inovacion (KRIS) i cili do të ofrojë informacion të plotë për veprimtarinë kërkimore-shkencore dhe inovacionin në vendin tonë.
Të nderuar pjesëmarrës,
Digjitalizimi i gjithmbarshëm është një nga objektivat kyçe të programit tonë qeverisës dhe parashihet të jetë pjesë e të gjitha shtyllave në Strategjinë e re Kombëtare të Zhvillimit. Në agjendën digjitale 2030, si agjendë horizontale në kuadër të Strategjisë Kombëtare për Zhvillim, jemi duke përcaktuar orientimet strategjike për digjitalizim në të gjithë sektorët e qeverisjes dhe ekonomisë së vendit tonë.
Ne synojmë të përdorim transformimin digjital si shtytës për të përmirësuar e avancuar administratën publike, sistemin arsimor, sektorin e shëndetësisë, sistemin e drejtësisë dhe të gjitha fushat e tjera të qeverisjes. Teksa hedhim bazat strategjike të digjitalizimit në të gjithë sektorët, një nga orientimet kyçe është të kemi qasje të unifikuar, të bashkërenduar dhe të harmonizuar ndaj digjitalizimit në të gjithë sektorët.
Përmes zhvillimit të e-qeverisjes synojmë rritjen e transparencës, llogaridhënies dhe përmirësimit të shërbimeve tona ndaj qytetarëve dhe bizneseve. Me digjitalizim është i ndërlidhur reformimi dhe modernizimi i administratës publike, si dhe do të krijohen shërbime elektronike që në qendër e kanë qytetarin.
Ligji për identifikimin elektronik dhe shërbimet e besuara në transaksionet elektronike tashmë është miratuar në Kuvendin e Kosovës. Tash, është hapur rruga për zbatimin e identifikimit elektronik dhe të nënshkrimit elektronik. Së shpejti do të mundësohet ofrimi i shërbimeve të plota elektronike, jo vetëm nga qeveria, por edhe nga sektori privat.
Pagesat elektronike, lansimi i të cilave bëhet nesër, do të ofrojnë një komponent tjetër, përbërës të rëndësishëm të shërbimeve të e-qeverisjes.
Qeveria do të bëjë punën e saj në zhvillimin dhe promovimin e digjitalizimit në vendin tonë. Por, transformimi digjital i vendit kërkon një angazhim të përbashkët dhe të koordinuar të sektorit publik, sektorit privat dhe sistemit arsimor. Ne duam të bashkëpunojmë ngushtë me të gjithë në arritjen e objektivave të përbashkëta të zhvillimit të vendit tonë.
Ky seminar është një mundësi e shkëlqyer për të punuar së bashku, edhe me hulumtuesit tanë në diasporë, për zhvillimin e aftësive digjitale, promovimin e shkencës, teknologjisë dhe inovacionit, si domosdoshmëri për rimëkëmbje të qëndrueshme, e si rruga më e mirë drejt zhvillimit.
Progresi i qëndrueshëm është ai i cili i bën bashkë demokracinë dhe shkencën.
Ju përgëzoj për organizimin dhe ju uroj seminar të suksesshëm.
Ju faleminderit.