Kurti kujton Smajl Hajdarajn: Edhe pas 24 vitesh, drejtësia nuk e ka zbardhur vrasjen

Prishtinë | 18 Jan 2026 | 12:46 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka përkujtuar 24-vjetorin e vrasjes së Smajl Hajdarajt, deputet i Kuvendit të Kosovës dhe veteran i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i cili u vra më 17 janar të vitit 2002 në Pejë.

Në një postim, Kurti ka rikujtuar se Hajdaraj u qëllua për vdekje pranë banesës së tij nga atentatorë që, sipas tij, kanë mbetur ende të panjohur, ndërsa rasti vazhdon të mos zbardhet as pas dy dekadash.

“Smajl Hajdarajn e qëlluan dhe e vranë afër banesës së tij në Pejë, persona të panjohur të urdhëruar nga qarqe të tjera të panjohura gjithashtu, meqë edhe pas 24 vitesh, institucionet e drejtësisë nuk e kanë zbardhur rastin e tij”, ka shkruar Kurti.

Ai ka theksuar se dyshimet për lidhje të kësaj vrasjeje me atentate të tjera të pasluftës kanë lënë të kuptohen motive politike dhe përçarëse.

“Lidhjet e mundshme dhe të dyshuara të kësaj vrasje me të tjera atentate në ato vite të para pas luftës në Kosovë, kanë lënë të kuptohen motivet politike dhe përçarëse të planifikuesve dhe ekzekutorëve të vrasjes së Smajl Hajdarajt”, ka shtuar ai.

Kurti ka rikujtuar edhe angazhimin e Hajdarajt në arsim dhe politikë, duke theksuar se ai ishte profesor i matematikës, i përjashtuar nga sistemi arsimor nga regjimi serb në vitin 1990, dhe i angazhuar politikisht në Lidhjen Demokratike të Kosovës. Më vonë, në vitin 1998, ai iu bashkua Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe u caktua komandant i shtabit rajonal për Rugovë.

Pas çlirimit të Kosovës në qershor të vitit 1999, Hajdaraj iu rikthye arsimit dhe angazhimit politik, duke u zgjedhur deputet në legjislaturën e parë të Kuvendit të Kosovës pas luftës.

“Shërbimi i tij u ndërpre dhunshëm nga atentati ndaj tij”, ka theksuar Kurti.

Kryeministri ka nënvizuar rëndësinë e zbardhjes së vrasjeve të motivuara politikisht, duke i cilësuar ato si goditje ndaj jetës politike dhe procesit të shtetndërtimit.

“Vrasjet e motivuara politikisht dhe vrasjet e aktivistëve politikë dhe veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nuk janë krime ordinere, por goditje në jetën politike të Kosovës dhe në ecurinë e shtetndërtimit të Republikës së Kosovës”, ka shkruar Kurti, duke shtuar se zbardhja e tyre mbetet thelbësore për drejtësi ndaj viktimave, familjarëve dhe shoqërisë në tërësi.

Të ngjashme