Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka rikujtuar ratifikimin e demarkacionit me Malin e Zi, tetë muaj më parë, teksa ka shkruar në Facebook se kjo ka çuar në probleme të tjera, pasi Mali i Zi, thotë Kurti, po abstenon në forume ndërkombëtare ku nevojitet vota në mbështetje të Kosovës.
Ai ka shkruar se, nëse kryeministri, Ramush Haradinaj, do ta kundërshtonte ratifikimin në atë kohë, tash presidenti i vendit, Hashim Thaçi, do të rrëzohej.
Postimi i plotë:
“Sot u bënë tetë muaj nga ratifikimi i demarkacionit me Malin e Zi, një marrëveshje e padrejtë dhe tradhtare që ia mori Kosovës 8.200 hektarë të cilët na takonin sipas të gjithë dokumentave paraprakë dhe sipas argumentëve të shkencëtarëve e studiuesve.
Që Kosova i humbi 8.200 hektarë e pranuan mandej edhe partizanët e kësaj marrëveshjeje, të cilët më vonë deshën ta mbështesin pikërisht te ky precedent idenë e marrë të Thaçit për t’ia dhuruar Serbisë veriun e Kosovës.
Por që Kosova humbi tokën e saj e pranoi dhe vetë kryeministri Haradinaj, i cili më përpara kishte protestuar bashkë me ne kundër këtij demarkacioni. Haradinaj megjithatë i bëri thirrje partisë së vet që ta votojnë demarkacionin, sepse shumë shpejt do të bëhej korrigjim i kufirit dhe Çakorri, Bjelluha e Kulla e Zhlepit do t’i ktheheshin Kosovës. Ne ua thamë në sy atëherë – kjo ishte rrenë. Megjithatë ata përmes mashtrimit të deputetëve dhe dhunës së shumicës së montuar parlamentare, e kaluan këtë marrëveshje tradhtare.
Ku është korrigjimi tani? Do të niste pas pak kohësh, por ja ku u bënë tetë muaj!
Si të mos mjaftonte kjo, Mali i Zi ka nisur të abstenojë në disa forume ndërkombëtare ku duhet vota në mbështetje të Kosovës, siç bëri në asamblenë e ENTSO-së.
Me “demarkacionin Meha” me Malin e Zi ka marrë n’thu shteti i Kosovës, integriteti territorial dhe institucional i tij, dhe tash rrezikon të rrëzohet përdhe. Më 21 mars 2018, shpëtoi Thaçi si nënshkrues i faljes së 8.200 hektarëve, dhe e fitoi fuqinë politike për pazare territoriale me Vuçiqin. Po të mos i nënshtrohej Haradinaj Thaçit para tetë muajsh, tashmë do të ishte rrëzuar Thaçi e asnjëherë Kosova”.