Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka reaguar pas arrestimit të Tomor Morinës nga policia maqedonase , për të cilin u refuzua kërkesa e lirimit, dhe thotë se ende s’ka reagim shtetëror për arrestimin e tij.
Kurti ka akuzuar institucionet se po bëjnë trajtim të diferencuar të ushtarëve. Për dikë thotë bëhet zhurmë e madh pse intervistohet diku,e në këtë rast, për Morinën, s’pati reagim si duhet.
“Këto ditë, gjatë një udhëtimi pune jashtë vendit, mora vesh nga mediet se është ndaluar në Maqedoni të Veriut ish-luftëtari i UÇK-së, Tomorr Morina. Ndalimi i tij ka ardhur si pasojë e fletarrestit të lëshuar nga Serbia, kundër luftëtarëve tanë çlirimtarë. Tomorri është ndër të shumtë ushtarë të UÇK-së të cilët janë arrestuar dhe disa edhe kanë mbajtur vite burg me fletarreste nga Serbia, e për shumë prej të cilëve qytetarët tanë kanë dëgjuar vetëm kur janë liruar nga burgu, ama pushtetarët ndërkohë kanë negociuar me Serbinë, pa e ngritur kurrë si kusht këtë çështje”, ka shkruar Kurti.
Kurti thotë se karshi fletarresteve sistematike të Serbisë, ka pasur gjithnjë reagime të improvizuara të shtetit të Kosovës.
“Teksa Serbia i kërkon të gjithë, si pjesëtarë të UÇK-së, institucionet tona reagojnë varësisht nga pozicioni i ushtarit. Për dikë bëhet zhurmë e madhe pse intervistohet diku, a për Tomorr Morinën ende s’ka reagim shtetëror, edhe pse ai është në paraprocedurë për ekstradim. Me trajtimin e diferencuar të ushtarëve, vetë Kosova e pasluftës nuk po e mbron UÇK-në”, ka shkruar Kurti.
“Ne kërkojmë lirimin e menjëhershëm të ushtarit të UÇK-së dhe qytetarit të Republikës së Kosovës, Tomorr Morina. I bëjmë thirrje institucioneve tona diplomatike e qeveritare të ndjekin urgjentisht të gjitha procedurat në mënyrë që Tomorri sa më shpejt të lirohet”, shkruan ai.