Kurti ndau shpërblime për sukseset e nxënësve në gara të matematikës dhe të fizikës

Prishtinë | 19 Tet 2022 | 13:57 | Nga Ekonomia Online

Sot jam shumë i gëzuar që ju si matematikanë dhe fizikanë të rinj keni fituar vendet e para, të dyta dhe të treta, siç keni fituar medalje të artë, argjendtë e të bronztë, e shpërblime të tjera në gara vendore e ndërkombëtare, tha Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në fjalën e hapjes së ceremoninë së ndarjes së shpërblimeve për nxënësit e shkollave të Kosovës.

Kryeministri tha se shpreson që këto shpërblime të jenë nxitje shtesë për nxënësit që të vazhdojnë të ndjekin prirjet dhe pasionet e tyre, dhe që mësimet shkollore dhe dijet e marra t’i përkthejnë pastaj në shpikje të vyera, inovacione kreative dhe metoda funksionale, kudo që do të punojnë në të ardhmen.

Në ceremoninë e organizuar nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Kryeministri Kurti së bashku me Ministren Nagavci, ndanë shpërblime për sukseset e treguara të nxënësve në gara të matematikës dhe të fizikës, përfshirë Olimpiadën Kombëtare të Matematikës, Garat Republikane të Fizikanëve të Rinj, Olimpiadën e Matematikës Kosovë – Shqipëri, Olimpiadën Matematike Ndërkombëtare, Math Kangaroo dhe Kupën Matematike Evropiane.

Fjala e plotë e Kryeministrit Kurti:

E nderuara Ministre e Arsimit, znj. Arbërie Nagavci,
Të nderuar mësues e arsimtarë,
Të nderuar prindër,
Shumë të dashur nxënës,

Në këtë sallë qenkemi sot shumë njerëz dhe po të grupoheshin në grupe me nga dhjetë, me siguri do të bëheshim dhjetëra sosh. Në qoftë se këtu do të ishim më shumë se 366 persona, pra aq ditë sa mund t’i ketë maksimalisht një vit, nëse shkurti është me 29 ditë, personi i 367-të, do të mbetej pa një ditëlindje autentike dhe unike edhe në kuptimin teorik të fjalës. Në këtë rast, të paktën ai dhe një tjetër, pra minimalisht dy persona, do ta kishin ditëlindjen në të njëjtën datë.

Ky mund të duket një arsyetim shumë i thjeshtë, aq i thjeshtë, sa që ndoshta edhe trivial, por matematika e ka një emër edhe për këtë, që është Parimi Drikle, sipas emrit të matematikanit gjerman të shekullit të nëntëmbëdhjetë, Piter Drikle.

E kur unë kam qenë student në universitet, mbaj mend, që një problem të ngjashëm matematikor e patëm zgjidhur dhe ai ka qenë diçka kësisoj: Sa veta duhet të jenë minimalisht në një sallë, në mënyrë që gjasat, që së paku dy prej tyre ta kenë ditëlindjen e njëjtë, të jenë mbi 50 për qind? Dhe, nëse nuk gaboj, rezultati është 23, por siç e dini ju që zgjidhni probleme matematikore, duhen 3-4 faqe, për të arritur te ky numri përfundimtar.

Edhe në Greqinë antike, pra kur Platoni e ka themeluar Akademinë në Athinë, mbi hyrjen e ndërtesës ka shkruar: “Le të mos hyjë këtu ai që nuk e di gjeometrinë”. Kjo akademi pastaj i dha botës atë që njihet si Babai i Logjikës, Aristotelin, i cili me kategoritë e tij filozofike, e sidomos me kauzalitetin, Ligjin e Shkakësisë, ndikoi aq shumë në këdo që erdhi pas tij në fushën e filozofisë apo të shkencave.

Unë i kujtova këto, pak nga përvoja ime, e pak nga ajo çfarë janë mësimet nga matematika, meqë mes matematikanësh e fizikanësh përgjithësisht preferohet të flitet me gjuhën e matematikës. Edhe kur ata janë të rinj, sikurse puna juaj, janë pikërisht në moshën kur shquhen për matematikë, sepse prirjet për matematikë shfaqen përgjithësisht dhe zakonisht qysh në fëmijëri e në rini. Por cila është kjo gjuha e matematikës? Për Galileo Galilein, matematika është gjuha me të cilin është shkruar libri i madh i natyrës. Pra, i përket atyre fizikanëve që kanë besuar se ata ndërmjetësojnë midis natyrës edhe matematikës, dhe se matematika është gjuhë e natyrës.

Pra, matematika si vetë gjuha e universit, ashtu qysh e besonte edhe Ajnshtajni kur tha që “Ekuacionet janë më të rëndësishme për mua, sepse politika është për të tashmen, por një ekuacion është diçka për përjetësinë”. Unë siç e dini nuk e kam respektuar plotësisht këtë parim të Ajnshtajnit, meqë kam zgjedhur politikën, ndoshta jo edhe plotësisht vetë, kjo zgjedhje është tërësisht e imja. Për këtu kam ardhur duke kaluar nëpër rrugë shkollore të matematikës, pasi kur kam qenë pak a shumë në moshën tuaj dhe më pas, i frymëzuar fillimisht nga mësuesja ime Nafije Deva, e më pastaj nga arsimtari i matematikës Taip Sylejmani, e në fund edhe nga profesorët e mi të matematikës kur shkova të studioja në Fakultetin e Elektroteknikës në Telekomunikacion dhe Kompjuterikë, ku kishte shumë matematikë, padyshim që më kanë ndikuar e formësuar përtej vetëdijes edhe dijes sime.

Matematika më ka hyrë shumë herë në punë gjatë jetës, madje edhe në periudha shumë të vështira, por edhe atëherë kur ta zëmë isha në burg a në arrest shtëpiak a në paraburgim edhe zgjidhja sisteme të ekuacioneve me disa të panjohura, në mënyrë që ta mbaj kujtesën edhe mendjen sa më të freskët e aktive dhe në këtë mënyrë ta ruaj logjikën.

Në masën në të cilën kemi respekt për matematikën, në atë masë edhe do ta kultivojmë logjikën. Prandaj të jesh matematikane ose matematikan do të thotë të jesh jo thjesht qytetar i përgjegjshëm i Republikës, por edhe i shquar për nga logjika. E kam përshtypjen se jetojmë në kohërat kur kjo është e nevojshme si rrallë herë të tjera. Madje matematika neve na ndihmon edhe në politikë, sepse numrat dinë të jenë shumë kokëfortë e ata duhet llogaritur mirë për buxhetin e shtetit, për rritjen ekonomike e për shpërndarjen sociale.

Të nderuar të pranishëm,

Një nga shtyllat kryesore për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik e shoqëror të Kosovës është arsimi cilësor. Për këtë Qeveria ka ndarë 3.5 milionë euro për ofrimin e praktikës profesionale për nxënësit e shkollave të arsimit dhe aftësimit profesional, 106 bursa për nxitjen e vajzave për të ndjekur profile teknike dhe djemve për të ndjekur profile deficitare, si dhe rreth 1 mijë kuponë për maturantë të shkollave profesionale për të ndjekur kurse të teknologjisë së informacionit. Për ta mbyllur hendekun ekzistues gjinor në profesione, në vitin akademik 2021/2022 janë ndarë 1365 bursa universitare për studentet në fushat e shkencës, teknologjisë, inxhinierisë dhe matematikës, apo siç njihet ndryshe STEM.

Qeveria dhe institucionet e Kosovës janë të fokusuara për plane e programe më të mira, për të ofruar mundësi maksimale në arritjen e potencialeve sa më të larta për të rinjtë e të rejat, për të tashmen, por edhe për të ardhmen e vendit tonë.

Të dashur nxënës e studentë,

Sot jam shumë i gëzuar që ju si matematikanë dhe fizikanë të rinj keni fituar vendet e para, të dyta dhe të treta, siç keni fituar medalje të artë, argjendtë e të bronztë, e shpërblime të tjera në gara si vendore, po ashtu edhe ndërkombëtare. Andaj, me shumë kënaqësi ju përgjigja ftesës së ministres së Arsimit për të qenë pjesë e këtij organizimi ku ju do të merrni shpërblimet e merituara për sukseset e treguara në këto gara të matematikës dhe të fizikës.

Me shpresë që këto shpërblime të jenë nxitje shtesë për juve që të vazhdoni të ndiqni prirjet dhe pasionet tuaja për numrat, për matjet, për zgjidhjen e problemeve, për të menduarit, për aritmetikën e për logjikën, për gjeometrinë dhe për algjebrën, për matematikën dhe fizikën, që mësimet shkollore dhe dijet e marra t’i përktheni pastaj në shpikje të vyera, inovacione kreative dhe metoda funksionale kudo që punoni në të ardhmen.

Ju faleminderit që po na sillni lajme të mira në Kosovë, që janë të mira për të tashmen dhe të ardhmen e vendit tonë. Urime  edhe njëherë për rezultatet e për suksesin e treguar dhe ju dëshirojë çdo të mirë, edhe më shumë suksese në të ardhmen e juaj, nga e cila varet e ardhmja e shtetit dhe e shoqërisë tonë.

Faleminderit.

Të ngjashme