Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti së bashku me Ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli dhe Ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati kanë vizituar Agjencinë Kosovare të Privatizimit, raporton Ekonomia Online.
Pas takimit me udhëheqjen e AKP-së, shefi i ekzekutivit në një konferencë për medie, ka numëruar katër pika të cilat ka thënë se janë sukseset e bordit të ri të Agjencisë Kosovare të Privatizimit.
Pas një takimi me bordin e AKP-së, Kurti ka thënë se suksesi i parë është përgatitja e një strategjie përmbyllëse të AKP-së.
Pikë të dytë ai ka përmendur identifikimin e aseteve që mund të transferohen në Fondin Sovran.
“Me 6 gusht të vitit të kaluar është emëruar bordi i ri dhe konstatojmë bashkërisht se kemi pasur disa të arritura disa suksese shumë të vlefshme por edhe interesin publik e interes e shtetëror e ekonomik të Kosovës. Tash së fundmi Qeveria ka pranuar koncept-dokumentin për Fondin Sovran. Paralelisht bordi i AKP-së ka arritur t’i evidentojë 2364 asete të AKP-së që pas një analize është vlerësuar se 1653 prej tyre do t’i barten Fondit Sovran. 771 do të vazhdojnë të ngelen nën portofolin e AKP-së”, ka thënë Kurti në një konferencë të përbashkët për media me kryetarin e Bordit të AKP-së, Nazmi Mikullovci.
Suksesi i tretë i bordit të ri të AKP-së, sipas Kurtit, është shkurtimi i shpenzimeve, në vlerë prej mbi 2.6 milionë eurosh.
Në pikë të katërt ai ka përmendur aktivizimin e ndërmarrjes shoqërore “Brezovica” për të cilën tha se kanë filluar edhe lëshimi i kuponëve.
Ndërsa Kryetari i Bordit të AKP-së, Nazmi mikollovci falënderoi kryeministrin Kurti dhe ministrat që morën pjesë në këtë takim.
“Jemi marrë vesh për shumë çështje. Prej fillimit kemi pas përkrahje për punë dhe veprimet qe i kemi bërë tash ka ardhur koha për me fillua edhe puna themelore e jonë e cila është vazhdimi i privatizimit të këtyre pronave të cilat i kemi vlerësuar që nuk kanë potencial zhvillimor. Unë besoj që diku për tri vite përfundojë i gjithë aktiviteti i privatizimit i cili po zgjat qe afër 20 vite”, ka thënë ai.
Mikullovci, bëri të ditur se tashmë janë bërë shkurtimet e shpenzimeve, në vlerë të gjithmbarshme prej mbi 2 milionë e 600 mijë euro. Kjo u vlerësua si e arritur shumë e vlefshme dhe e dobishme për agjencinë dhe Buxhetin e Republikës së Kosovës.
U vlerësua lartë aktivizimi i Ndërmarrjes Shoqërore “Brezovica”, e cila tashmë është vënë në funksion, në përputhje të plotë me sistemin juridik të Kosovës. Fiskalizimi përbrenda ligjit dhe formalizimi i kësaj ndërmarrjeje u vlerësuan si parakushte për t’iu hapur rrugën investimeve për këtë qendër tejet të rëndësishme turistike për Kosovën me potencial të madh për vendin tonë.
Kryesuesi i Bordit të AKP-së, Nazmi Mikullovci iu falënderua kryeministrit dhe ministrave për vizitën dhe takimin, si dhe për përkrahjen e dhënë nga Qeveria për punën dhe veprimet e muajve të fundit.
Në përmbyllje të takimit u theksua se nëpërmjet bashkëpunimit e koordinimit institucional do të mundësohet tejkalimi i sfidave dhe krijimi i një baze zhvillimore për Republikën e Kosovë.