Në margjina të Forumit Ekonomik Botëror në Davos, njoftohet se kryeministri Albin Kurti ka takuar drejtues të PayPalit, që është njëra nga kompanitë më të mëdha në botë që mundëson pagesa online.
Sipas njoftimit, Kurti ka takuar zëvendëspresidentin e kompanisë Richard Nash si dhe Franz Paasche në cilësinë e drejtuesit për Marrëdhënie me qeveri.
“Kryeministri theksoi shkallën e lartë të përdorimit të internetit në Kosovë, rritjen e nivelit të shfrytëzimit të tregtisë elektronike e-commerce dhe blerjeve online, si dhe dërgimin e remitencave nga mërgata, si faktorë të rëndësishëm e të dobishëm që PayPal të përfshijë edhe Kosovën në platformë. Duke potencuar interesat e përbashkëta, projektet dhe planet drejt bërjes së Kosovës si qendër e ardhshme e teknologjisë së informacionit në Evropën Juglindore, kryeministri ftoi drejtuesit e PayPal që të bëhen pjesë e këtij rrugëtimi”, thuhet në njoftim.
Në kuadër të vizitës zyrtare në Zvicër, ai do të takohet edhe me përfaqësues të tjerë të ndërmarrjeve e liderë politikë, si dhe do të zhvillojë takime me mërgatën.