Gjatë qëndrimit në Paris të Francës, ku po merr pjesë në Forumin e Paqes, Kryeministri i Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti ka zhvilluar takime me Presidentin e Republikës së Francës, z. Emmanuel Macron dhe Përfaqësuesin e Lartë të Bashkimit Evropian për Çështje të Jashtme dhe të Sigurisë, z. Josep Borrell.
Në ceremoninë zyrtare të hapjes së Forumit të Paqes, ku ishin të pranishëm aktorët më të rëndësishëm në qeverisjen globale, ndër ta edhe Zëvendëspresidentja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, znj.Kamala Harris, kryeministri Kurti iu drejtua të pranishmëve me një mesazh.
“Është detyra jonë si liderë, shkencëtarë e aktivistë, jo të qëndrojmë në margjinat e historisë, por të jemi progresistë, ta përqafojmë dhe t’i japim formë asaj, duke avokuar për më shumë barazi e drejtësi në gjithë botën”, tha ndër të tjera Kryeministri i Republikës së Kosovës.
Për të katërtin vit radhazi, Forumi i Paqes në Paris mbledh aktorët më të rëndësishëm në qeverisjen globale, krerët e shteteve dhe qeverive dhe drejtues të organizatave dhe të kompanive të mëdha shumëkombëshe, si dhe disa aktorë të shoqërisë civile.
Edicioni hibrid që mbahet nga 11 deri më 13 nëntor, u organizua për të avancuar zgjidhje konkrete ndaj sfidave të mëdha të paraqitura nga pandemia COVID-19 dhe për të përmirësuar qeverisjen globale.
Mesazhi i plotë nga Kryeministri Kurti:
I dashuri President Emmanuel Macron,
Të nderuar udhëheqës të shteteve, qeverive dhe organizatave ndërkombëtare,
Zonja dhe zotërinj,
Faleminderit për këtë mundësi.
Po jetojmë në kohë të ndryshueshme. Historia ka ecur më shpejtë në këto dy dekadat e fundit sesa në dy shekujt e kaluar. Udhëtimet e shpejta, komercializmi dhe informimi kanë hequr barrierat, kanë shtuar mundësitë dhe kanë nxjerrë miliarda nga varfëria.
Megjithatë, ato kanë sjellë edhe rreziqe të reja, si ndryshimet klimatike dhe kanë thelluar hendekun e pabarazisë ndërmjet të pasurve dhe të varfërve.
Po ashtu, ne tani jemi më të ekspozuar ndaj sëmundjeve dhe pandemive, që zhvillohen dhe përhapen më lehtë se kurrë.
Mënyra se si rritemi është në kundërshtim me vlerat tona morale dhe me planetin.
Krejt çka na duhet është rritje në harmoni me natyrën dhe që në qendër ka paqen, barazinë dhe prosperitetin për të gjithë.
Kjo kërkon ndryshim të mënyrës se si bëjmë biznes – ndryshim të qasjes sonë dhe të mënyrës se si jetojmë.
Por, përderisa njerëzit mendojnë që është në rregull të fluturosh me avion privat, përderisa 25.000 njerëz vdesin çdo ditë nga uria dhe më shumë se gjysmë miliardi jetojnë në varfëri ekstreme – ky vizion duket i paarritshëm.
Është detyra jonë si liderë, shkencëtarë e aktivistë, jo të qëndrojmë në margjinat e historisë, por të jemi progresistë, ta përqafojmë dhe t’i japim formë asaj, duke avokuar për më shumë barazi e drejtësi në gjithë botën.
Të parafrazoj një thënie të Martin Luther King Jr: “Pabarazia kudo është kërcënim i barazisë çdokund”.