Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ditën e djeshme, mbajti fjalën hyrëse në panelin e diskutimit “Përputhja e financave me nevojat” organizuar në kuadër të Forumit Ekonomik Botëror në Davos, e ku mori pjesë së bashku me Sekretarin e Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, David Cameron, Ministren e Ekonomisë dhe Financave të Marokut, Nadia Fettah Alaoui, Ministrin e Jashtëm të Norvegjisë, Espen Barth Aide, ish-Sekretarin për Punë të Jashtme të Britanisë, David Milliband, përfaqësuesin e Bankës Botërore, Juergen Voegele dhe ekonomisten Vera Songwe.
Në fjalën e tij hyrëse, kryeministri Kurti tha se Kosova është një histori suksesi, e një vend që e ka ndërtuar veten në një demokraci edhe me ndihmën e miqve ndërkombëtarë, mesazh ky që u fuqizua edhe nga pjesëmarrësit e tjerë të nivelit të lartë në panel, si Sekretari David Cameron dhe Ministri Barth Aide. Gjithashtu të pranishmit uruan me entuziazëm përparimin e Kosovës.
Kryeministri shtoi se sidomos në vitet e fundit, vendi ynë ka treguar se progresi ekonomik dhe demokratik ecin krah për krah, duke theksuar se qëndrueshmëria është thelbësore për sukses të vazhdueshëm dhe stabilitet institucional.
“Një vend përparon kur progresi ndihet nga qytetarët dhe kjo kombinohet me stabilitetin institucional. Pra, stabiliteti institucional qëndron më lart se stabiliteti politik dhe mundëson përparimin dhe qëndrueshmërinë e një progresi të tillë.” tha kryeministri Kurti, duke potencuar se reformat demokratike të Kosovës janë të dokumentuara edhe ndërkombëtarisht.
Ai veçoi rolin e ndihmës për nxitjen e demokracive duke theksuar gjithashtu rëndësinë e një qeverisjeje demokratike lokale në mënyrë që kjo ndihmë të mbërrijë sa më shumë tek qytetarët. Theksoi dhe se si kombinimi i të dyjave do të jetë shtytës në tranzicione të rëndësishme për vendin, si investimet e gjelbra dhe rritja e mëtejshme.
Në përfundim të fjalës së tij, kryeministri tha se “Tre kategori të popullsisë po ndërtojnë progresin në vendin tonë: gratë, të rinjtë dhe punëtorët. Në të tri këto kategori, diaspora është gjithnjë e pranishme edhe me remitancat e së fundmi edhe me investimet e saj në ekonominë tonë.”