Kryeministri Albin Kurti është takuar me ministrin e Jashtëm të Malit të Zi, Ranko Krivokapiq, në kuadër të një simpoziumi në Greqi.
Përveç raporteve mes dy vendeve, Kurti tha se me ta ka folur edhe për rrezikun e sigurisë dhe paqes nga Rusia.
“Në Symi Symposium u takova me Ministrin e Jashtëm të Malit të Zi Ranko Krivokapiq. Ne nënvizuam marrëdhëniet tona dypalëshe, të bazuara në fqinjësinë e mirë dhe vlerësimin e ndërsjellë dhe folëm për ndikimin e Rusisë në Ballkanin Perëndimor dhe rrezikun që ajo paraqet për paqen dhe sigurinë”, ka shkruar Kurti në Twitter.
Kurti dje ka takuar edhe Përfaqësuesin Special të Bashkimit Europian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, të cilit i ka garantuar se Kosova është përherë e gatshme për dialog.
“Kryeministri Kurti theksoi sërish që Qeveria e Republikës së Kosovës është përherë e gatshme për dialog parimor, të balancuar e konstruktiv. Ai ritheksoi se nga ky dialog duhet të përfitojnë qytetarët e të dyja vendeve, nëpërmjet një marrëveshjeje të qëndrueshme e të zbatueshme, që në qendër ka njohjen reciproke. Për këtë, kemi edhe Rezolutën e Parlamentit Evropian, të miratuar pak ditë më parë, ku bëhet thirrje që Kosova dhe Serbia të arrijnë marrëveshje bazuar në njohje reciproke”, thuhej në njoftimin e Kryeministrisë.