Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar edhe njëherë që Serbia t’i hap arkivat për të zhdukurit, raporton Ekonomia Online.
Kurti pas homazheve te obelisku i personave të pagjetur në oborrin e Kuvendit, bëri thirrje që të japin informacione të gjithë qytetarët të cilët kanë për ndonjë rast.
Madje ai kërkoi nga prokuroria që të jetë më efikase në hetimin e këtyre rasteve.
“Në Beograd duhet të hapen arkivat që të merret vesh e vërteta për më të dashurit tanë”.
“Në të njëjtën kohë edhe prokuroria tek ne duhet te jetë shumë më aktive, gjyqësori shumë më efikas sepse deri tek e vërteta arrihet edhe nëpërmjet drejtësisë, nëpërmjet kërkimit të përgjegjësisë prej atyre të cilët i vranë”, ka thënë Kurti.
Për të shënuar Ditën Ndërkombëtare të Personave të Pagjetur homazhe ka bërë edhe ambasadori amerikan, Jeffrey Hovenier bashkë me familjarë të të zhdukurve dhe ministrat e kabinetit qeveritar.
Prononcimi i plotë i Kryeministrit Kurti:
Bashkë me Presidenten e Republikës, znj.Vjosa Osmani Sadriu dhe me familjarët e të pagjeturve, të të zhdukurve me dhunë nga lufta në Kosovë, me kolegë, zyrtarë institucionalë dhe me partnerë e miq ndërkombëtarë nga përfaqësitë diplomatike këtu në Kosovë, bëmë homazhe për të gjithë të pagjeturit, të zhdukurit me dhunë, sot, në Ditën Ndërkombëtare të tyre.
Si institucione kemi përgjegjësi të bëjmë gjithçka që mundemi dhe dimë, që sa më parë të zbardhet fati i atyre 1617 të pagjeturve, dhe njëkohësisht me faktorët ndërkombëtarë të bëjmë trysni, që në Beograd të hapen arkivat dhe asisoj të merret vesh e vërteta për më të dashurit tanë.
Përveçse duhet te hapen arkivat, në të njëjtën kohë edhe prokuroria tek ne duhet të jetë shumë më aktive, gjyqësori shumë më efikas, sepse deri tek e vërteta arrihet edhe nëpërmjet drejtësisë, nëpërmjet kërkimit të përgjegjësisë prej atyre, të cilët i vranë, i varrosën, i zhvarrosën, i dërguan në Serbi, i varrosën atje dhe më pas u zhvarrosën nëpër ato pesë varreza masive, që mbase ka edhe më shumë se aq.
950 shqiptarë janë zhvarrosur prej Batajnicës, Kizhevakut, Rudnicës, Bajnabashtës dhe Petrovosellos, Peruçacit, domethënë këto janë ato pesë varrezat të mëdha masive, prej ku u zhvarrosën njerëzit e me siguri që ka edhe të tjerë.
Në mesin e këtyre 1617 të zhdukurve me dhunë ka edhe që nuk janë shqiptarë. Shumica dërrmuese janë shqiptarë, por ka edhe që nuk janë shqiptarë dhe ne angazhohemi për zbardhjen e fatit të të gjithëve pa dallim etnie.
Me këtë rast i ftoj qytetarët, të cilët dinë, kanë informacione, që ato t’i bëjnë publike.
Besoj që përveçse hapja e arkivave në Beograd, edhe qytetarët në Serbi duhet të ndihmojnë duke folur se çka dinë. Por, jo vetëm në Serbi. Është e nevojshme, që gjithë qytetarët të flasin për informacionet, që mund t’i kenë.
Ne e dënojmë për çdo ditë me veprimtarinë tonë institucionale, me qëndrimet tona shtetërore, gjenocidin e Serbisë në Kosovë. E një ndër shprehjet më të egra, më të dhimbshme, që na ka shkaktuar shumë vuajtje, humbje e ankth të gjenocidit të Serbisë në Kosovë, janë edhe të pagjeturit, të zhdukurit me dhunë, që vazhdojnë të ngelen një plagë e hapur për shtetin tonë dhe shoqërinë tonë.
LEXONI EDHE: